Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara, ku pritet të zhvillojë bisedime të rëndësishme me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Në fokus të takimit pritet të jetë forcimi i mbrojtjes ajrore të Ukrainës dhe sigurimi i mbështetjes për sistemet kundër raketave balistike, veçanërisht për raketat interceptuese Patriot.
Vizita vjen në një periudhë të tensionuar të luftës, pasi Moska njoftoi se kryeqyteti rus u përball me një sulm masiv me 390 dronë gjatë natës. Ndërkohë, Ukraina ka përjetuar rritje të sulmeve me raketa balistike ndaj Kievit, duke bërë që Zelensky të kërkojë urgjentisht më shumë sisteme mbrojtëse.
Presidenti ukrainas pritet t’i kërkojë Trumpit të konkretizojë mbështetjen për prodhimin e raketave Patriot në Ukrainë. Megjithatë, kalimi nga një licencë prodhimi te prodhimi i përbashkët i raketave të avancuara kërkon procese të gjata politike, ligjore dhe teknike.
Ndërkohë, një delegacion i kompanisë amerikane të mbrojtjes Raytheon ka vizituar Kievin javën e kaluar, ndërsa Zelensky tha se kompania ka shprehur gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin me Ukrainën. (A2 Televizion)