Këshilli për Mbrojtjen e Të drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë kritikon ashpër qeverinë e Kosovës për reagim jo serioz me rastin e arrestimit arbitrar të një shtetasi nga policia e Serbisë.
“Reagimi i institucioneve ka qenë automatik, si këngë në kor, pasi kanë ndodhur arrestimet. Sidomos për këto dështime dallohet Ministria e Jashtme, që ka përgjegjësi ligjore dhe morale të trajtojë me seriozitet këto raste”, lexohet në deklaratë.
Policia serbe arrestoi në Merdarë, Tefik Mustafën, më 1 qershor, duke pretenduar pa asnjë provë se ka kryer krime lufte.
Edhe njëherë, Këshilli për Mbrojtjen e Të drejtave dhe Lirive të Njeriut u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos udhëtojnë nga Serbia, pasi mund të arrestohen nga policia serbe. Gjithashtu akuzon Beogradin se po shfrytëzon rastin për të arrestuar dhe keqtrajtuar shqiptarët e Kosovës. (A2 Televizion)