Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njofton kthimin në normalitet të furnizimit me ujë për zonat e prekura nga sulmi terrorist në Ibër-Lepenc.
“Prurjet e ujit në Korporatën Energjitike të Kosovës kanë arritur nivele optimale për furnizim me ujë të termocentralit “Kosova B”. Ka rifilluar furnizimi i fabrikave të ujit në rajonet e Mitrovicës dhe Prishtinës. Ka filluar furnizimi me ujë për qytetarët e komunave të Skenderajt, Mitrovicës së Jugut, Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit. Së shpejti pritet të normalizohet furnizimi me ujë për qytetarët në Fushë Kosovë, Drenas dhe Obiliq”, njofton Kurti.
Për të garantuar sigurinë në pikat e infrastrukturës kritike është angazhuar edhe Ushtria e Kosovës. Kryeministri Albin Kurti ka bërë me dije se pjesëtarë të FSK janë vendosur në lokacione të ndryshme strategjike në vend. Angazhimi i ushtrisë ishte një ndër vendimet e marra në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë.
Mbrëmjen e 29 nëntorit, veriu i Kosovës u trondit nga një sulm me eksploziv që tentoi të shkatërronte ujësjellësin e Ibër-Lepencit ne Zubin Potok. Siguria në veri është shtuar më përforcim të kontrolleve dhe patrullimeve si nga policia e Kosovës ashtu nga misioni i KFOR.
Policia raporton se janë përdorur rreth 20 kilogramë eksploziv në sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit. Autoritet në Kosovë akuzojnë drejtpërdrejt Beogradin zyrtar si autor të këtij sulmi, duke e konsideruar një akt terrorist, ndërsa 8 persona u arrestuan si dhe u sekuestrua një arsenal armësh. Gjithashtu gjatë kontrolleve janë gjetur dhe disa logo të policisë dhe ushtrisë së Rusisë. (A2 Televizion)