“Me kamionët serbë vijnë armë”, Konjufca: Prandaj nuk i heqim masat ndaj produkteve serbe

Nga Ideal Gola
2 Tetor 2024, 19:45 | Aktualitet

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, deklaroi se Kosova nuk do të tregohet naive për heqjen e masës së sigurisë ndaj produkteve serbe pasi kjo mund të cenojë sigurinë e vendit. Kjo masë që u vendos pas rrëmbimit të tre policëve Kosovë vitin e kaluar, po insistohet që të largohet nga Gjermania për të rikthyer funksionimin e CEFTA-s ndërsa si shpërblim Kosova do ta përfaqësojë vetveten në këtë organizatë dhe jo përmes UNMIK-ut, ndërsa si pasojë është paralajmëruar përjashtimi i Kosovës nga Procesi i Berlinit, transmeton A2. 

“Ne edhe dëshirojmë që të mos jemi pengues të funksionimit të CEFTA-s por në të njëjtën kohë të mos jemi aq naiv sa të na ndodhë të hyjë ndonjë gjë në Kosovë për të cilën ne nuk kemi kontroll e pastaj na kthehet boomerang në kuptimin e sigurisë”, tha kreu i Kuvendit të Kosovës.

Konjufca tha se frika e Kosovës është që mos hyjnë armë bashkë me kamionët serbë, ndërsa përmendi ardhjen e skanerëve të premtuar nga disa vende perëndimore, si mundësi që kjo masë të hiqet.

“Jam shumë optimist që qeveria do ta gjejë një gjuhë të përbashkët me organizatorët e këtyre nismave rajonale sepse interes i Kosovës është që të vazhdojë të jemi pjesë e tyre”, tha ai për A2.

Gjatë së martës, nga Lëvizja Vetëvendosje u larguan edhe dy deputetë dhe Konjufca pranoi se puna e Kuvendit tashmë është vështirësuar pasi mazhoranca nuk i ka numrat për kuroum dhe kalim të projektligjeve. Ai ftoi opozitën që të dakordohen për agjendën dhe Kuvendi t’i rikthehet funksionimi normal.

“Për të mbajtur seanca çdo javë nevojitet le të themi negociata çdo javë me opozitën çfarë mund të kalojë, edhe nga ana e tyre në Kuvend, e kam fjalën për projektligjet, së paku për disa çështje duhet të kishim konsensus që t’i kalonim, për shembull marrëveshjet ndërkombëtare”.

Konjufca la të për të kuptuar se mund të mos thërrasë mbledhje të Kryesisë së Kuvendit e as ndonjë seancë pa pasur një dakordim edhe me opozitën.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos