“Qëndrueshmëria kombëtare”, Osmani: Kërcënimet ndaj Kosovës janë komplekse

Nga A2 CNN
30 Janar 2025, 15:04 | Aktualitet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje për forcim të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, dhe ka deklaruar se sulmet hibride përbëjnë sfida reale për stabilitetin kombëtar, shkruan A2 CNN. Osmani i ka bërë këto deklarata në një konferencë të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes me temën për qëndrueshmërinë kombëtare. Komandantja supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Osmani u shpreh se qëndrueshmëria kombëtare është detyrim ndaj brezave të ardhshëm.

“Qëndrueshmëria kombëtare nuk është vetëm një koncept teorik, por është themeli mbi të cilin ndërtohet siguria, zhvillimi dhe e ardhmja jonë si shtet...Në një kohë kur kërcënimet ndaj sigurisë janë më komplekse se nga luftërat konvencionale dhe hibride tek sulmet kibernetike, Kosova duhet të jetë e gatshme për sfidat me të cilat ballafaqohemi sot dhe për ato të së ardhmes. Na duhet një arkitekturë sigurie që është invoative, fleksibile dhe e përgatitur për t’u përballur me secilin skenar....04’16 Investimi i vazhdueshëm në armatim si dhe në personelin tonë ushtarak dhe në mirëqenien e tyre është jetik ashtu siç është dhe investimi i vazhdueshëm në institucionet tjera të sigurisë. Në një botë ku kërcënimet hibride po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara edhe qëndrueshmëria ekonomike është po aq e rëndësishme, mbrojtja nga sulmet hibride është po ashtu e domosdoshme. Shteti ynë duhet të investoj në përmirësimin e infrastrukturës kritike dhe një ekonomie të qëndrueshme me theks në sigurinë energjetike”, tha ajo.

Kryeministri, Albin Kurti vuri në dukje se qëndrueshmëria kombëtare nuk është opsion që duhet zgjedhur, por domosdoshmëri shtetërore e kombëtare. Ai shtoi se viteve të fundit kanë ndërmarrë hapa përmes të cilëve është forcuar ky aspekt i sigurisë.

“Viteve të fundit kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të forcuar qëndrueshmërinë tonë kombëtare, ku qëndrueshmëria jonë kombëtare është një ndër elementet kryesore të mbrojtjes gjithëpërfshirëse, apo mbrojtjes totale për të cilën jemi përgatitur duke hartuar së pari draft konceptin dhe e kemi miratuar atë në qeveri në shtatorin e vitit të kaluar. Kjo mbrojtje nënkupton përgatitjen e gjithë shoqërisë për të përballur situata të krizave dhe emergjencave dhe natyrisht kërkon ndërgjegjësim dhe pjesëmarrje gjithnjë e më të lartë të qytetarëve dhe bashkëveprim të pandërprerë mes institucioneve dhe komuniteteve...Në këto kohë të sfidave përgjigja jonë duhet të jetë kombinimi i vendosmërisë dhe unitetit. Kjo konferencë është një hap drejt ndërtimit të një të ardhme ku gjithë qytetarët ndihen të mbrojtur dhe vendi ynë mbetet një shembull edhe i qëndrueshmërisë edhe i përgatitjes”, tha Kurti.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci u shpreh se qëndrueshmëria kombëtare është kapacitet për të ruajtur funksionet jetike të shoqërisë dhe për të siguruar që e ardhmja ndërtohet mbi themelet e forta. Sipas tij kjo konferencë qëllim kyç ka forcimin e bashkëpunimit, dhe ndarjen e praktikave më të mira të cilat do ta përmirësojnë e pasurojë qëndrueshmërinë kombëtare.

“Në një botë gjithnjë e më të ndërlikuar, qëndrueshmëria s’është më një opsion, por domosdoshmëri. Qëndrueshmëria përkufizohet jo vetëm si aftësia për t’u përballur me tronditjet dhe kërcënimet, por mbi të gjitha si një kapacitet për të ruajtur funksionet jetike të shoqërisë, për të mbrojtur vlerat tona dhe për të siguruar që e ardhmja ndërtohet mbi themelet e forta”, tha Maqedonci. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos