Dorëheqja e kryeministrit serb, Millosh Vuçeviç, është bërë vetëm që presidenti Aleksandër Vuçiç të zgjasë qëndrimin në pushtet dhe ta heqë përgjegjësinë nga vetja. Kështu thotë gazetari serb, Radomir Dimiç, në një intervistë për KosovaPress.
“Tani kemi protesta ndoshta edhe më të mëdha se në kohën kundër Millosheviçit në Beograd dhe në Serbi. Dorëheqja e kryeministrit Vuçeviç, për mua nuk është lajm i madh. Sepse kur është në pyetje politika e Aleksandër Vuçiçit kjo ka qenë e pritshme. E ka bërë për t'i qetësuar studentët. Me dorëheqjen e Vuçeviçit ai ka dashur të shfajësohet, tu thotë studentëve të Serbisë 'Unë nuk kam faj, por bashkëpunëtorët'. Është viktimizuar...Pushtetin në tërësi e ka pasur në dorë vetëm Aleksandër Vuçiçi, e jo Vuçeviçi. Kjo është një mënyrë që ta heqë përgjegjësinë prej vetes dhe tu thotë protestuesve 'Ndryshime kemi'. Për ta zgjatur mandatin dhe pushtetin e tij”, shprehet gazetari Radomir Dimiç.
Megjithatë shprehet i bindur se as kjo lëvizje e qeverisë nuk do t’i qetësojë protestuesit, që manifestojnë prej javësh në kërkim të drejtësisë për tragjedinë në Novi Sad ku humbën jetën 15 persona.
“Studentët nuk e pranojnë dhe nuk kënaqën me një dorëheqje të kryeministrit. Dihet se kryeministri e ka pasur një rol protokollar, krahasuar me Aleksandër Vuçiçin. Këtu është hapur një rrugë tjetër. Një rrugë për një qeveri e cila duhet të themelohet jo vetëm prej njerëzve të regjimit të Aleksandër Vuçiçit. Por, edhe partive tjera... studentët nuk dëshirojnë ndryshimet formale. Por, ndryshime të thella në shoqëri. Sistemi përjeton korrupsion të madh”, shton Radomir Dimiç.
Gazetari serb thotë për KosovaPress se Vuçiç nuk ka forcën dhe as interesin që të shkaktojë trazira në rajon.
“A është e mundshme të bëjë prapë luftë në rajon? Të luftojë me kë, si, për çfarë?. Ai e ka humbur potencialin për çdo aksion ekstrem në rajon. Nuk ka shans që mund të bëjë diçka në rajon. Studentët do të vazhdojnë aksionin, protestën deri sa kërkesat e tyre do të plotësohen. E vetmja mundësi që në Serbi situata të stabilizohet është plotësimi i kërkesave të studentëve. Ata kanë kërkuar ndaljen e korrupsionit, standardin e studentëve, e njerëzve, ndryshimet të thella”, përfundon Radomir Dimiç. (A2 Televizion)