Kosovës i shtohen mbi 450 policë, Osmani: Jeni mburoja jonë e paqes dhe e lirisë

Nga A2 CNN
24 Janar 2025, 20:10 | Aktualitet

462 policë të rinj, prej të cilëve 56 vajza, do të kontribuojnë për garantimin e rendit dhe ligjit në Kosovë. Gjenerata e 61 e policisë u betua këtë të premte në një ceremoni ku morën pjesë krerët e shtetit.

Presidentja Vjosa Osmani tha se Policia e Kosovës është një nga shtyllat kryesore të shtetit duke garantuar sovranitetin dhe integritetin territorial. Sipas saj, policia është mburoja e paqes dhe e lirisë.

"Rendi dhe siguria janë themeli i një shoqërie të suksesshme. Ndërkaq, këta djem e vajza që kujdesen për rendin dhe sigurinë tonë janë mburoja e paqes dhe e lirisë për të cilën populli ynë ka sakrifikuar për shekuj të tërë. Kjo përkufizon më së miri rolin e Policisë së Kosovës, një institucion që nuk është vetëm zbatues i ligjit, por është mbrojtëse dhe garantuese e lirisë për secilin qytetar të Republikës së Kosovës pa dallim”, tha Osmani, shkruan A2.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se struktura gjinore dhe etnike e kësaj gjenerate të Policisë së Kosovës e tregon strukturën e shoqërisë dhe politikat e shtetit: “Nuk ka rrugë më të drejtpërdrejt sesa ta veshësh uniformën policore dhe ta marrësh përsipër t’u përgjigjesh nevojave dhe thirrjeve të përditshme të qytetarëve. Strukturat gjinore dhe etnike e kësaj gjenerate kadetësh që nga sot po bëhen policë e tregon edhe vetë strukturën e shoqërisë tonë dhe politikat e shtetit tonë. Në gjeneratën e 61-të po diplomohen sot gjithsej 462 pjesëtarë të rinj të policisë, prej të cilëve 406 djem dhe burra dhe 56 vajza dhe gra. Nga kjo gjeneratë 343 pjesëtarë janë shqiptarë, 79 janë serbë, 23 boshnjakë, 6 turq, 6 egjiptianë, 3 ashkali dhe 2 pjesëtarë janë rom”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se diplomimi i gjeneratës së 61-të bën që Policia e Kosovës të jetë më e fortë dhe shteti më i sigurt: “Me rastin e diplomimit të djemve dhe vajzave tona, të gjeneratës së 61-të, Policia e Kosovës do të jetë më e fortë e republika jonë edhe më e sigurt. Falë punës së pandalshme dhe profesionale të Policisë sonë, Republika e Kosovës sot renditet e para në Ballkanin Perëndimor për sundim të rendit dhe ligjit sipas projektit botëror për drejtësi. Përgjatë këtij rrugëtimi do të takoni e do të ndani përvoja me kolegët dhe eprorët tuaj të cilët viteve të fundit kanë qenë shembullor në detyrën e tyre. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha u shpreh se ky institucion është një organizatë multietnike që reflekton përbërjen etnike të shoqërisë kosovare”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos