Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, pranoi se aktualisht kanë vështirësi të shërbimit me ushqim për ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, mirëpo janë duke u angazhuar që të krijojnë vetqëndrueshmëri për sigurimin e ushqimit.
Duke raportuar në Komisionin parlamentar për Siguri, Maqedonci deklaroi se llojllojshmëria e ushqimit për ushtarët këto kohë mund të mungojë derisa të zgjidhet çështja e kontratës e nënshkruar me një operator ekonomik, shkruan A2.
“Aktualisht jemi në koordinim dhe në punë e sipër për të zgjidhur çështjen e shërbimit të ushqimit. Kontrata aktuale është subjekt i trajtimit nga mekanizmat e kontrollit të brendshëm në Ministrinë e Mbrojtjes dhe porsa të përfundojë ne do të japim informacion shtesë”, tha Ejup Maqedonci, ministër i Mbrojtjes.
Lidhja Demokratike e Kosovës konsideroi se sigurimi i ushqimit nga vet Ministria e Mbrojtjes është një praktika që nuk gjendet mes vendeve anëtare të NATO-s.
“Po flasim për një çështje që ju keni qenë në njohuri se kur skadon kontrata e operatorit ekonomik për të furnizuar me ushqim. Kjo ka qenë një kohë e mjaftueshme për t’u përgatitur dhe m’i ngrit të gjitha procedurat se kur përfundon ajo kontratë ju të përzgjidhni operatorin më të mirë dhe më cilësor”.
Ministri i Mbrojtjes tregoi edhe për numrin e ushtarëve që janë larguar këtë vit nga Forca e Sigurisë së Kosovës, kryesisht për largim nga vendi dhe arsye personale, transmeton A2.
“Në vitin 2024 kemi 119 ushtarë që vullnetarisht kanë kërkuar ndërprerjen e shërbimit, që është diku tre për qind e totalit të numrit aktual që i kemi në FSK”, tha Maqedonci.
Maqedonci tha se kishte raporte të mira me zëvendësin e tij, Shemsi Syla, pavarësisht se ndonjëherë mund të kenë dallime për çështje të caktuara. Ditë më parë ishte raportuar për përplasje mes numrit një dhe dy në Ministrinë e Mbrojtjes pikërisht për çështjen e ushqimit të ushtarëve. (A2 Televizion)