Shkeljet e Serbisë, OSBE kërkon zbatim të marrëveshjeve, por nuk kritikon Beogradin

Nga A2 CNN
11 Prill 2024, 19:55 | Aktualitet

Shkeljet e Serbisë, OSBE kërkon zbatim të marrëveshjeve, por
Kryesuesi i OSBE-së, njëherazi ministër i Jashtëm i Maltës, Ian Borg kërkoi që të zbatohen marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë të enjten, Borg tha se dialogu kontribuon në sigurinë dhe stabilietin e të gjithë rajonit.

“Riangazhimi për dialog dhe vazhdimi i zbatimit të marrëveshjeve të arritura është thelbësore për të ruajtur progresin. OSBE-ja është e gatshme të mbështesë këto përpjekje”, u shpreh Borg.

Mirëpo, zyrtari nga Malta nuk komentoi kur u pyet rreth shkeljeve që Serbia po iu bën këtyre marrëveshjeve duke votuar e lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Pa hyrë në merita se kush i respekton apo jo marrëveshjet, Këshilli i Evropës ka rregullat e veta dhe do të merret një vendim dhe ne e marrim situatën në dorë prej andej. Nuk ka shumë kohë për të pritur. Është afër dhe së shpejti do të dimë se si vendos Këshilli i Evropës”, shtoi kryesuesi i OSBE.

Duke u ndalur te votimi i 21 prillit për shkarkimin ose jo të kryetarëve shqiptarë në 4 komunat veriore, Borg u shpreh se duhet të garantohet një proces i drejtë pasi të kërkohet pjesëmarrja e serbëve.

“Është e rëndësishme që të kemi zgjedhje të drejta dhe pasi të garantohen zgjedhje të drejta atëherë ne avokojmë për pjesëmarrje në to”, tha ai.

Kreu i OSBE gjatë qëndrimit në Prishtinë takoi krerët e shtetit.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi