Ushtria serbe të dielën sërish iu afrua kufirit të Kosovës. Kësaj radhe në krahun lindor, rreth 50 metra në afërsi të kufirit të Republikës së Kosovës në territorin e komunës së Kamenicës.
Për autoritetet e Kosovës kjo është hera e pestë brenda dy vitesh që Serbia çon ushtrinë pranë kufirit.
Për ekspertët e sigurisë ky është një kërcënim dhe provokim ndaj Kosovës dhe që mund të çojë në ndonjë incident mes policisë kufitare të Kosovës e që mund të sjellë edhe ndonjë konflikt të mundshëm.
“Vendosja e patrullës ushtarake por edhe shumicës së bazave që Serbia i ka vendos në pjesën e kufirit me Kosovën është si një lloj synimi për të krijuar pasiguri, jo stabilitet, edhe të kërcënojë shtetin e Kosovës. Kjo lëvizje e paplanifikuar, e pakoordinuar e trupave ushtarake në kufi me Kosovën është provokim e para; dhe e dyta e ngrit një jostabilitet mes Kosovës dhe Serbisë”, theksoi A2 Skënder Përteshi nga Instituti për Siguri dhe Reziliencë.
Kosovës i kërkohet të tregohet maksimalisht e kujdesshme dhe të ruajë kufijtë e saj.
“Për derisa pala serbe është në territorin serb nuk dua as të diskutoj por çka dua të them është se duhet të mbulojmë kufirin nga ana kosovare dhe të jemi prezentë kudo në mënyrë që të mbrojmë kufirin nga çfarëdo befasia që mund të vijë”, u shpreh për A2 Rashit Qalaj, ish-Drejtor i Policisë së Kosovës.
Ditë më parë, kryeministri Albin Kurti kërkoi nga NATO që të rikthejë zonën tokësore të sigurisë në gjerësinë 5 kilometra rrotull kufirit të Kosovës me sigurinë pikërisht për shkak të provokimeve në kufi.
Me këtë propozim pajtohen në Prishtinë që thonë se do të ishte zgjidhja më e mirë deri në një marrëveshje finale politike.
“Kjo do të ishte një prej mënyrave më të mira që ruan sigurinë, ruan rendin edhe ul provokimet apo pasiguritë në përgjithësi sepse një incident i vogël mund të nxisë edhe konfliktet më të mëdha mes të dy vendeve apo dy institucioneve të dy shteteve”, tha për A2 Skënder Përteshi.
“Mendoj që zona e tillë prapë është e dobishme edhe pse në kohën që po jetojmë kanë ndryshuar shumë gjëra mirëpo për shkak të incidenteve që kanë ndodhur që lidhen kryesisht me palën serbe dhe shkeljen e vijës kufitare nga ta, mendoj që kishte me qenë mirë që kjo zonë të kthehet”, tha u Rashit Qalaj.
KFOR në deklarimet për media ka lënë të nënkuptohet se nuk është në favor të rikthimit të zonës tokësore të sigurisë që është hequr më 2001, mirëpo nuk është përgjigjur në pyetjet e A2 CNN nëse kanë qenë njohuri për lëvizjet e Ushtrisë serbe në kufi me Kosovën. (A2 Televizion)