Sektori i gastronomisë dhe ndërtimtarisë është prekur më shumë pas liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës. Punëtorët e këtyre dy sektorëve, por edhe të tjerë, sipas Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës janë duke kërkuar mundësi punësimi në Perëndim.
“Gastronomia dhe ndërtimtaria janë ndër sektorët më të ndjeshëm të cilët po pësojnë një rënie shumë të madhe”, thotë Jusuf Azemi nga Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës.
Azemi thotë se muaji janar nuk ka dhënë sinjale të mira sa i përket largimit të punëtorëve.
“Ikja e punëtorëve është një ikje dyfish më e madhe sesa e kam menduar. Realisht kam menduar që në vitin që kemi hyrë do të jenë diku rreth 250 mijë punëtorë që do të ikin por megjithatë kjo shifër ka kaluar vetëm në muajin e parë të këtij viti”, vijoi Azemi.
Pagat e ulëta dhe mungesa e trajtimit të duhur detyron që punëtorët të largohen nga Kosova.
“Fakti që edhe sot kemi punëtorë që merr pagë 250 euro, mos të flasim edhe 170 euro, ne me këto paga nuk mund të krijojmë asnjë siguri ekonomike për familjet tona dhe fakti që shumë pronarë të kompanive nuk e kanë vlerësuar fuqinë dhe djersën tonë, këtyre iu imponohet të dalin dhe të kërkojnë një fuqi ekonomike sociale më të mirë sesa që e kemi”, deklaroi Azemi.
Ai ka kritikuar Qeverinë që nuk ka bërë mjaftueshëm për punëtorët e sektorit privat për t’i mbrojtur. (A2 Televizion)