Disa vende të Bashkimit Europian kanë shtuar presion ndaj Kosovës për të bërë disa koncensione shtesë.
Kështu ka deklaruar, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë raportimit të tij në Komisionin Parlamentar për Integrim. Sipas Bislimit, kërkesat shtesë ndaj Kosovës shkojnë përtej masave ndëshkuese që unioni vendosi ndaj Kosovës, vitin e kaluar.
“Disa shtete të BE-së kanë kërkuar koncensione shtesë për Kosovën. Por, natyrisht Kosova nuk ka pranuar të shantazhohet në këtë drejtim. Shtetet anëtare të unionit evropian e kanë pasur të qartë se vendosja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës ka qenë “e padrejtë”.
Sipas zyrtarit të lart të Kosovës, kërkesa të tilla, të cilat janë bërë në vazhdimësi nga shtetet anëtare, por jo direkt nga Brukseli, tregojnë se Kosova nuk ka pasur faj për vendosjen e këtyre masave.
Deklarata e Bislimit vjen pasi shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka dorëzuar një raport te shtetet anëtare të BE-së. Mediat kosovare citojnë burimet diplomatike se në këtë raport, Borrell ka rekomanduar heqjen e masave ndëshkuese.
Gjatë raportimit para Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, Bislimi tha se shtetet anëtare të bllokut europian e kanë pasur të qartë se vendosja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës ka qenë “e padrejtë”.
Sipas tij, brenda BE-së ka shtetet që mendojnë se mënyra se si janë vendosur këto masa ndëshkuese ka qenë shkelje e procedurave ligjore brenda BE-së, “dhe ka të tillë të cilët kanë iniciuar kërkesa brenda Komisionit Evropian për të verifikuar ligjshmërinë”.
Bislimi, i cili është edhe kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë, që ndërmjetësohet nga BE-ja, tha se masat u vendosën për shkak të trazirave të majit në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe. Por Kosova ka insistuar disa herë se ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave. (A2 Televizion)