Ashpërsim i politikës penale, gjurmim i parasë dhe task force për zgjedhjet. Janë këto 3 propozimet e kreut të SPAK para komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore,
“Të rishikohet (ashpërsohet) politika penale (aktualisht sipas SPAK dënimi mesatar shkon deri në 13 muaj). Të gjurmohet paraja. TASK forca për zgjedhjet(SPAK+KQZ+PP) të kthehet në një mekanizëm të përhershëm me ligj. Të nisë puna 4 muaj para zgjedhjeve”, tha Braho në komision.
Për sa i përket dënimeve, Braho propozon që të ketë dënime të diferencuara. Nuk mund të ketë të njëjtin dënim për atë që shet votën dhe për atë që e blen apo për atë që e financon.
“Gjithashtu individualizimi i dënimit duhet të diferencojë zgjedhësin vulnerabël, përfaqësuesin e subjekteve politike, kandidatin dhe shtabin e tij elektoral, financuesin e fushatës, zyrtarin e lartë apo nëpunësin publik. Sa më i lartë të jetë roli organizues, politik, administrativ ose financiar i personit, aq më i qartë duhet të jetë edhe reagimi penal”, tha Braho.
Drejtuesi i SPAK, Klodian Braho, në një seancë dëgjimore në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore, ka paraqitur disa propozime kyçe për forcimin e integritetit të zgjedhjeve në vend.
Ai theksoi se një nga nevojat kryesore është rishikimi i politikës penale, pasi dënimet aktuale për krimet zgjedhore janë të ulëta, me një mesatare rreth 13 muaj burg, gjë që sipas tij ul efektin parandalues.
“Mesatarja e dënimit me burgim është rreth 13 muaj dhe një pjesë e konsiderueshme ka përfituar nga alternativat e dënimit me burgim. Kjo tregon se efekti parandalues i sanksionit penal mund të mos jetë gjithmonë në përputhje me peshën e fenomenit dhe të ndikimit që këto vepra kanë mbi integritetin e procesit zgjedhor. Për këtë arsye, një nga çështjet që mund të vlerësohet në kuadër të reformës është rishikimi i politikës penale, si në raport me masën e dënimit, ashtu edhe në raport me profilin dhe rolin e autorit në skemën e korrupsionit zgjedhor. Ky rishikim nuk duhet të jetë as i përgjithshëm, as mekanik. Ai duhet të diferencojë zgjedhësin, përfaqësuesin e subjekteve politike, kandidatin, zyrtarin e lartë apo nëpunësin publik”.
Si prioritet të dytë, SPAK kërkon forcimin e hetimeve për gjurmimin e parasë, duke e konsideruar shitblerjen e votës dhe korrupsionin zgjedhor si pjesë të një zinxhiri financiar që duhet ndjekur nga burimi deri te përfituesit politikë.
“Mbi të gjitha, hetimi i krimit zgjedhor duhet të ndjekë gjurmën e parasë. Kur ndiqet burimi i financimit, mënyra e shpërndarjes dhe përfitimi real, atëherë identifikohen jo vetëm dhënësi dhe marrësi i përfitimit, por edhe ndërmjetësit, organizatorët dhe ata që përfitojnë nga deformimi i vullnetit të zgjedhësit. Nëse reforma arrin ta lidhë hetimin penal me kontrollin financiar, bashkëpunimin institucional dhe reagimin e hershëm, atëherë lufta kundër krimit zgjedhor nuk do të jetë më vetëm reagim pas faktit, por mekanizëm real mbrojtjeje për votën”.
Propozimi i tretë lidhet me krijimin e një task-force të përhershme ndërinstitucionale (SPAK, KQZ, Prokuroria e Përgjithshme dhe institucionet e tjera), e cila të nisë punën të paktën 4 muaj para zgjedhjeve dhe të funksionojë me ligj.
“Prania e task-forcës së SPAK me mbulim kombëtar, e koordinuar me seksionet e posaçme të përkohshme të ngritura në çdo prokurori të juridiksionit të përgjithshëm nga Prokurori i Përgjithshëm, tregoi vlerë praktike. Ky organizim mundësoi që reagimi institucional të mos ishte vetëm qendror, por edhe territorial, më afër burimit të informacionit dhe më pranë dinamikës reale të procesit zgjedhor. Integrimi i kësaj qasjeje me mekanizmat e denoncimit dhe të monitorimit pranë KQZ-së krijoi një bazë më të mirë për identifikimin e hershëm të riskut. Kjo është arsyeja pse, për zgjedhjet e ardhshme, fokusi duhet të jetë më i qartë te gjurma financiare. Shitblerja e votës, favoret administrative, pagesat cash, mbështetja logjistike, shërbimet apo përfitimet e tjera nuk duhen parë të shkëputura nga njëra-tjetra. Ato duhet të analizohen si pjesë e një zinxhiri që lidh burimin e parave, mënyrën e shpërndarjes, ndërmjetësit, zonën ku ushtrohet ndikimi dhe përfituesin politik ose elektoral të skemës”.
(A2 Televizion)