Gazetari i A2 CNN, Igli Çelmeta, ka rrëfyer në Dita Jonë momentet dramatike që përjetoi vetëm tre minuta pasi mbërriti në vendin e aksidentit tragjik të autobusit të linjës Berat-Tiranë, ku humbi jetën drejtuesi i mjetit dhe mbetën të plagosur 12 persona.
Sipas tij, skena që pa ishte një nga më të rëndat e karrierës së tij. Pasagjerët ishin të bllokuar brenda autobusit të përshkuar nga barriera metalike, ndërsa dëgjoheshin ulërima dhe thirrje për ndihmë.
“Ishte një ndër ngjarjet më të rënda, aksidentet më të rënda të ndodhura vitet e fundit në vendin tonë. Ditën e djeshme isha së bashku me dy kolegët e mi, Stivi Meshini dhe Fatjon Nurçellari, dhe në momentet e para në autostradën duke u kthyer nga Durrësi në Tiranë, vumë re një trafik pak të rënduar. Në ato momente më shkruan një burim i imi në Policinë e Shtetit që ka ndodhur një aksident. Mendova ndonjë aksident normal siç ndodh rëndom çdo ditë në vendin tonë. Kur u afruam konstatuam aksidentin, e kishim para syve. Sapo kishte ndodhur. kishte tre- katër minuta që kishte ndodhur aksidenti i rëndë dhe ishte një situatë kaotike. Ajo që tronditi më shumë ishin thirrjet dhe pamjet e para të qytetarëve të gjymtuar pra ishin pamje shumë të rënda”, tha ai në Dita Jonë në A2 CNN.
Gazetari tregoi se banorë të zonës dhe kalimtarë të rastit u angazhuan menjëherë për të dhënë ndihmën e parë, ndërsa ambulancat u përballën me vështirësi për të mbërritur për shkak të trafikut të rënduar në autostradën Tiranë-Durrës.
“Banorë të zonës, kalimtarë të rastit po jepnin ndihmën e parë qytetarëve, pasagjerëve të plagosur, të cilët ishin të bllokuar brenda në autobus. Ishte një situatë shumë e rënduar, paniku po ashtu dhe nga ana psikologjike pasi pasagjerët, qytetarët që ndodheshin brenda në autobus ulërisnin, bërtisnin, kërkonin ndihmë që të ndihmonin, por e kishin të pamundur për shkak se është shumë e vështirë t'i nxirrnin nga autobusi në atë gjendje aq të rënduar dhe vendi ku kishte rënë autobusi e kishte të vështirë terrenin për të ndërhyrë dhe për t'i nxjerrë pasagjerët. Por kishte kalimtarë të guximshëm qytetarë, madje një banor i cili ishte banor i zonës iku në shtëpi lajmëroi vajzën e tij, e cili ishte mjeke për të dhënë ndihmën e parë qytetarëve pasagjerë aq sa kishte mundësi. Policia e shtetit u gjend vendngjarje menjëherë madje shumë shpejt. Ndërkohë shërbimi i urgjencës së ambulance në fakt u vonua edhe për shkak të trafikut të rënduar dhe kjo solli një kolaps, një panik të madh tek të gjithë ne dhe kërkonim ndihmë”.
Çelmeta tregoi se, së bashku me operatorët e A2 CNN, nisi menjëherë raportimin për të sensibilizuar autoritetet dhe për të përshpejtuar ndërhyrjen e shërbimeve të emergjencës.
“Në momentet e para pasi u pa që po jepej ndihma e parë qytetarëve të dy kolegët e mi si Stivi Meshini dhe Fatjon Nurçellari ndezën kamerat, ngritëm dronin duke raportuar pamjen në mënyrë profesionale pa dhënë imazhe të cilat janë jashtë etikës profesionale. Pastaj ishin pamje të rënda. Transmetuam ngjarjen menjëherë sa më sa më shpejt që autoritetet të reagonin pasi bëhej fjalë për një ngjarje shumë të rëndë dhe ato njerëz të bllokuar aty në autobus kërkonin ndihmën e parë”.
Nga hetimet paraprake dyshohet se drejtuesi 36-vjeçar i autobusit pësoi një problem të papritur shëndetësor gjatë drejtimit të mjetit, çka mund ta ketë bërë të humbte kontrollin.
“Sa i përket rrethanave të aksidentit, dyshohet që drejtuesi i autobusit, pra 36 vjeçari Redion Hasimi, sipas informacioneve dhe komunikimeve që kam pasur me grupin hetimor, pasi këto të fundit kanë marrë në pyetje dëshmitarë okularë, pasagjerë në autobus, të cilët janë në gjendje shëndetësore më të mirë dhe kanë deklaruar që pak para aksidentit dyshohet se shoferi i ka sinjalizuar pra udhëtarët që ndodhej në gjendje shëndetësore jo të mirë. Pra ka pasur si gjendje të fikëti, kolaps shëndetësor dhe dyshohet se kjo ka ndikuar që të shkaktohej dhe aksidenti, pasi nga ekspertiza paraprake është vënë re që ka qenë në korsinë e rrugës, pra në karrexhatën kryesore dhe më pas ka devijuar në krahun e djathtë në korsinë e emergjencës dhe nuk ka frenuar, nuk ka shenja frenimi, çka tregon se problemi shëndetësor që ka pasur nuk i ka dhënë mundësinë për të frenuar dhe për të ulur shpejtësinë pasi shpejtësia ka qenë pak e lartë pasi përplasje me barrierat është e fortë. Pothuajse barriera metalike i ka çarë mes përmes të gjithë autobusin në pjesën e majtë të autobusit. Pasagjerët në pjesën e djathtë kanë shpëtuar”.
(A2 Televizion)