Investimi prej 1 milion eurosh, Mitrovica bëhet me objekt të ri për Pediatrinë

Nga A2 CNN
2 Prill 2024, 20:58 | Kosova

Të martën është përuruar Reparti i Pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës. Edhe pse kishte përfunduar së ndërtuari në vitin 2016 ajo nuk ishte hapur deri më tani.

Për funksionalizimin e tij janë shpenzuar rreth 1 milion euro, prej të cilave rreth gjysma e shumës është donacion nga shoqatat “Nëna Terezë” dhe “Jetimat e Ballkanit” ndërsa pjesa tjetër nga Qeveria e Kosovës. Pjesa e investimit ka shkuar kryesisht për infrastrukturë dhe inventar si dhe për pajisje mjekësore.

“Tash do të jenë gjithsej 11 dhoma me 25 shtretër, njëra prej dhomave do të jetë edhe intensive. Do të ketë pajisje moderne mjekësore, të teknologjisë së fundit të cilat natyrisht garantojnë kujdesin maksimal dhe mundësitë më të mira për shërim të plotë dhe të shpejtë të të gjithë pacientëve, ” deklaroi kryeministri Albin Kurti.

Objekti i ri, krahas infrastrukturës së re, do të ofrojë edhe shërbime të reja që përfshijnë shërbimin radiologjik dhe atë të spirometrisë, si dhe me aparaturën moderne do të mund të realizojë të gjitha analizat e nevojshme laboratorike për pacientët e këtij reparti.

“Do ju premtojmë se shërbimet për fëmijët e qytetit të Mitrovicës do të jenë shumë më cilësore dhe do të jemi më të angazhuar dhe të përkushtuar që t’iu ofrojmë ndihmën tonë”. Gjithashtu u sigurua se do të ketë staf të majftueshëm mjekësor për këtë repart,” shprehet Laura Nushi, U.D.E drejtoreshës së spitalit të Mitrovicës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos