I dërguari i posaçëm i bllokut për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak pritet të bëhet ambasador i Bashkimit Evropian në Zvicër.
Autoritet në Kosovë e kanë kritikuar haptas diplomatin sllovak për njëanshmëri. Njohësit në Prishtinë thonë se Lajçak ka përgjegjësi për ngecjen e dialogut gjatë 4 viteve të mandatit të tij si emisar.
“Në fakt mendoj se fasilituesi, zoti Lajçak në vend të ndihmës e ka bllokuar procesin dialogues, mendoj se është faktori kryesor i kësaj pengese duke vendosur Asociacionin si pikë të parë për Kosovën dhe në anën tjetër duke toleruar deri në pafundësi një politikë destruktive të Serbisë ku edhe i ka dërguar letra në adresë të Bashkimit Evropian duke i treguar qartë se do të jenë selektivë në implementimin e marrëveshjes,” shprehet politologu Fidan Ukaj.
Përpos ndryshimit të emisarit, kërkohet që gjithashtu të ketë një plan të ri të zbatimit të marrëveshjeve ku Kosova dhe Serbia përmbushin obligimet dhe marrin shpërblimet njëkohësisht.
“Mendoj se plani i sekuencimit duhet të ndryshohet dhe me ndryshimin e planit të sekuencimit mendoj se do të do të zhbllokohet procesi dialogues dhe do të kemi ecje përpara në zbatimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë”.
Lajçak pritet të përmbyllë mandatin e tij në fund të muajit gusht, ndërsa aktualisht është në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për dinarin dhe për të shpëtuar Marrëveshjen e Brukselit dhe atë të Ohrit. (A2 Televizion)