Një hap më pranë Organizatës, Kosova do të anëtarësohet pa fusnotë në KiE, s’ka kushte shtesë

Nga Xhevahir Qardaku
27 Mars 2024, 20:06 | Kosova

Kosova shkon një hap më pranë anëtarësimit të plotë në Këshillin e Europës. Në Komitetin për Politikë të Jashtme dhe Demokraci u miratua raporti i Dora Bakojanis për anëtarësim në organizatë me 31 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim. Të gjitha vendet që kundërshtuan aplikimin janë nga rajoni, përkatësisht Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina dhe Serbia me 2 vota.

Tashmë duhet të zhvillohet vetëm debati dhe votimi në Asamblenë Plenare për opinionin përfundimtar, gjë që mbetet një formalitet, dhe më pas pranimi i Kosovës në Këshillin e Europës përfundon me vendimin nga Komiteti i Ministrave. Fitore të mëdha të Kosovës konsiderohet që nuk ka kushte shtesë para anëtarësimit dhe se do të njihet si shtet me të drejta të plota. Në opinionin e miratuar të Bakojanis theksohet se vendet anëtare duhet të lënë anash qëndrimet individuale për shtetësinë e Kosovës dhe marrëdhëniet dypalëshe.

“Ky opinion rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës pa asnjë parakusht shtesë. Për më tepër, opinioni kërkon largimin e fusnotës nga emërtimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2008 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet (state), sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend (country), sipas nenit 5”, tha Kreshnik Ahmeti, Zv.Ministër i Jashtëm i Kosovës.

Hapi pozitiv vjen pas garancive me shkrim dhe firmë të ofruara nga Presidentja Vjosa Osmani, kryetari I kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti. Në deklaratën pas votimit, Këshilli i Europës thekson se pas vendimit për tokën e Manastirit të Deçanit pret formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Gjithashtu nënvizon se përkeqësimi i sigurisë në veriun e Kosovës paraqet rrezik për real dhunë. Menjëherë pas vendimi ka pasur reagime të shumta të politikës në Kosovë, me presidenten Osmani që nënvizon se shteti I saj do të vazhdojë punën me aleatët për të siguruar anëtarësimin e plotë dhe të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos