Përvjetori i ndërhyrjes së NATO, hapet ekspozitë me botimet për Kosovën në gjuhë të huaj

Nga Ideal Gola
25 Mars 2024, 20:09 | Kosova

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës hapi ekspozitën e botimeve për Kosovën në gjuhë të huaj “Kosova në gjuhët e botës” në 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s.

Ekspozita u tha se është edhe një thirrje për të mos harruar, një thirrje e kujtesës dhe ndërgjegjes në një përvjetor të rëndësishëm të çlirimit të Kosovës.

“Përmes këtyre librave që janë të ekspozuara, dy gjëra mendoj se janë bërë të ditura në qartësi të madhe që të kenë ndikim në rendin e ri botëror dhe për ata që kanë zënë fill në Kosovë: Se të drejtat e njeriut qëndrojnë mbi sovranitetin e shteteve dhe se popujt e vegjël nuk mund dhe nuk duhet të nëpërkëmbën vetëm për faktin se janë më të vegjël dhe se kanë pasur fat të keq në historinë e tyre”, tha Mehmet Kraja, Kryetar i ASHAK.

Kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca, deklaroi se sensibilizimi i opinionit botëror për çështjen e Kosovës dhe të drejtën e saj për liri dhe pavarësi nga Serbia ka qenë një front i rëndësishëm në realizimin e aspiratave të popullit shqiptar.

Ai tha se ishte edhe kontributi i shumë autorëve të huaj që ndikoi në krijimin e një opinioni pozitiv në botë për lirinë e shqiptarëve.

“Vendimi i shumë krerëve të shteteve mike për të mbështetur çlirimin e Kosovës e më pas edhe pavarësinë, ishte më i lehtë edhe për faktin se çështja e Kosovës filloi të perceptohej si një kauzë që lidhej me lirinë dhe vetëvendosjen e një populli të shtypur”, u shpreh Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe nisën më 24 mars të vitit 1999 dhe zgjatën 78 ditë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos