“Radoiçiç i lirë, rreziku mbetet i lartë”, kreu i policisë në Kosovë: Lëvizje të forcave serbe në kufi

Nga Xhevahir Qardaku
26 Mars 2024, 20:07 | Kosova

“Derisa Radoiçiçi, grupi i tij terrorist vazhdon të jetë i lirë dhe vazhdon të qëndrojë në kufi të Kosovës, rreziku është akoma aktiv.”

Ky është vlerësimi i drejtorit të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, lidhur me situatën e sigurisë në vend, veçanërisht në pjesën veriore. Ai sqaron se policia ka shtuar kapacitetet e saj për t’i bërë ballë çdo kërcënimi ndaj shtetit.

“Ka pasur lëvizje të forcave serbe në kufij të Republikës së Kosovës. Ne i kemi vërejtur, i kemi monitoruar edhe kemi kapacitete që të monitorojmë. Faktikisht ne jemi duke punuar në bashkëpunim me KFOR-in dhe EULEX-in atje, kemi patrullime të përbashkëta. KFOR-i ka shtuar prezencën e vet me ushtarë atje edhe me teknikë. Kështu që duhet të shpresojmë që të mos kemi telashe serioze”, tha Hoxha.

Këtë deklaratë e bëri gjatë një dëshmie në Komisionin për Çështje të Sigurisë në kuvendin e Kosovës.

“Situata e përgjithshme e sigurisë në Republikën e Kosovës bazuar në zhvillimet aktuale në vend, rajon dhe më gjerë, vlerësohet të jetë e qetë. Megjithatë, në pjesën veriore të Kosovës edhe më tutje situata e sigurisë mbetet e brishtë. Me mundësi të tensionimit, si rezultat i aktiviteteve të strukturave ilegale dhe grupeve kriminale terroriste”, u shpreh ai.

Një pjesë e dëshmisë së kreut të policisë është mbajtur me dyer të mbyllura për arsye të informacioneve sekrete.

“Në pjesën e mbyllur ne kemi folur për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, pjesën e katër komunave veriore atje, punën e policisë, angazhimin, sfidat që ne i kemi si polici në tentim të përmbushjes së misionit tonë të sigurisë së qytetarëve dhe sigurisë të kufijve tanë dhe sovranitetit të shtetit të Kosovës, përfundoi Hoxha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos