Media serbe zbulon tenderët: Vuçiç i dha Radoiçiç 8.5 milionë euro, 2 ditë pas sulmit në Banjskë

Nga Xhevahir Qardaku
14 Mars 2024, 20:05 | Politikë

Vetëm dy ditë pas sulmit të armatosur në Banjskë të Kosovës, shteti i Serbisë i ka dhënë Milan Radoiçiç 8.5 milionë euro. Zbulimi është bërë nga media serbe, Nova, që saktëson se kompania në pronësi të Radoiçiçit, “Rad 028” nga Zveçani, nën sanksione nga thesari amerikan, fitoi 4 tenderë, si pjesë e programit për shpërndarjen dhe përdorimin e stimujve për zhvillim ekonomik të vitit 2023.

Në rubrikën “Radar”, gazetari Milan Radonjiç, shkruan se shteti serb i ka dhënë ato para për “prokurim të paspecifikuar të pajisjeve të paspecifikuara” dhe mbështetje për sipërmarrjen. Gjithashtu zbulon se gjatë dhjetë viteve të fundit, “Rad 028” e Radoiçiç të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol, ka marrë më shumë se 100 tenderë nga shteti serb.

“Rritja marramendëse e të ardhurave dhe fitimeve të kompanisë nga Zveçani filloi në të njëjtën kohë kur Radoiçiç në vitin 2018 u bë nënkryetar i Listës Serbe, dega e SNS-së në Kosovë. Vlera e marrëveshjeve të lidhura nga Rad 028 me shtetin në pesë vitet e fundit, është rritur me 14 herë, në 102.6 milionë euro”, thuhet në gazetë.

Gazetari shkruan se Radoiçiç kishte ndryshuar pronësinë e kompanisë duke hequr dorë nga aksionet e tij, të cilat u kaluan vëllezërve Veselinoviç, edhe këta të sanksionuar nga Thesari Amerikan. Kompania “Rad 028” nuk ka marrë më asnjë tender të ri nga shteti serb nga janari i këtij viti. Megjithatë rezulton se kompanitë tjera të themeluara bashkërisht nga Radoiçiç dhe vëllezërit Veselinoviç po punojnë pa probleme. E vetmja gjë që ka ndryshuar, thekson gazeta Nova, është struktura e pronësisë së kompanisë mëmë, ombrellë, Inkop, e cila është e regjistruar si pronare e disa kompanive filiale.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu