I dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar zhvilloi një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndonëse më herët kishte deklaruar se kreu i qeverisë kishte probleme me komunikimin me aleatët sidomos SHBA, BE dhe Britaninë.
Çështja e dinarit ishte tema kryesore e bisedimeve, për të cilën zyrtari amerikan, menjëherë pas takimit nuk ngurroi të thoshte se kishte pasur një bisedë të hapur me kryeministrin e Kosovës.
“Kryeministri e pranoi këtë dhe premtoi se do të shikonte disa nga propozimet që ia paraqita sot sa i përket çështjes së dinarit”, tha Escobar.
Emisari amerikan shtoi se SHBA mbetet partnerja më e besueshme dhe më e angazhuar e Kosovës.
“Të jem i sinqertë, këto sfida janë për shkak të trajtimit tani që po i bëhet minoritetit serb. Është për keqardhje që duhet të kalojmë nëpër këtë situatë. Por, rregullorja e BQK-së për dinarin ka shkaktuar probleme për disa prej qytetarëve e këtij shteti dhe jemi shumë të shqetësuar. Ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë çështje, por mendoj se është një çështje urgjente humanitare të cilën duhet ta adresojmë menjëherë”, shtoi Escobar.
Para nisjes së vizitës në Kosovë, Escobar deklaroi se zbatimi i vendimit i autoriteteve të Kosovës për të ndaluar përdorimin e dinarit serb, ishte jokompetent dhe katastrofik.
Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, parasheh euron si valutën e vetme për pagesa në Kosovë. (A2 Televizion)