Haradinaj pas takimit me Escobar: Agjenda e Kosovës të shtyhet drejt anëtarësimit në NATO

Nga Ideal Gola
13 Mars 2024, 22:08 | Politikë

Haradinaj pas takimit me Escobar: Agjenda e Kosovës të shtyhet drejt

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, pas takimit me emisarin amerikan, Gabriel Escobar, ka thënë se agjenda e shtetit të Kosovës të shtyhet përpara drejt anëtarësimit në NATO.

Haradinaj ka thënë se vizita e Escobar-it vjen në një moment të rëndësishëm për Kosovën dhe rajonin.

“Ishte kënaqësi të takohemi sonte me emisarin amerikan Gabriel Escobar, Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë. Kjo vizitë po vjen në një moment të rëndësishëm për Kosovën dhe rajonin. Shfrytëzova rastin të falënderoj Escobar për angazhimin e tij përgjatë gjithë kohës në forcimin e marrëdhënieve të Kosovës me ShBA-të, njëkohësisht në angazhimin e tij në procesin e dialogut”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka kërkuar që të ngrihet niveli i marrëdhënieve biletarale Kosovë-ShBA.

“Kërkova të ngrihet niveli i marrëdhënieve biletarale Kosovë-ShBA. Ka progres, por theksova se është shumë e nevojshme që agjenda e shtetit të Kosovës të shtyhet përpara me përgjegjësi të lartë shtetërore dhe institucionale drejt anëtarësimit në NATO si dhe qeveria të jetë në bashkëpunim të plotë me aleatin tonë strategjik dhe të përjetshëm, ShBA-të”, është shprehur Haradinaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos