Mungesa e gatishmërisë së Serbisë në gjykimin e kriminelëve të luftës dhe arritjen e drejtësisë tranzicionale pas luftërave në ish-Jugosllavi është vënë re nga Këshilli i Evropës. Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviç, në një letër për kryeministren serbe Ana Bërnabiç, ajo tërheq vërejtjen për një retorikë që kontribuon në rritjen e gjuhës së urrejtjes dhe jo tolerancës ndëretnike.
“Konsideroj veçanërisht shqetësues, në disa vende, kthimin e diskursit etno-nacionalist, mohimin e mizorive të kohës së luftës dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës nga udhëheqës politikë dhe aktorë të tjerë shoqërorë me ndikim, si media, liderë fetarë dhe figura të tjera publike”, tha Dunja Mijatoviç Komisioner e KiE për të Drejtat e Njeriut.
Mijatoviç ndër rekomandime i kërkon Serbisë të riangazhohet për një bashkëpunim efektiv rajonal në të gjitha fushat e ballafaqimit me të kaluarën, veçanërisht ndjekjet penale të krimeve të luftës dhe kërkimin e personave të zhdukur, duke i kërkuar edhe hapjen e arkivave të ushtrisë.
“Kjo përfshin ekzekutimin e kërkesave për ekstradim lidhur me krimet e luftës nga vendet e tjera të rajonit, kur këto janë vlerësuar pozitivisht nga sistemi gjyqësor vendas ose sigurimin që të dyshuarit të gjykohen para gjykatave serbe, në përputhje me detyrimin për ekstradim ose ndjekje penale sipas ligjit ndërkombëtar. Të hapen arkivat ushtarake për të lehtësuar kërkimin e personave të zhdukur”, u shpreh Mijatoviç.
Hapja e arkivave të ushtrisë serbe vlerësohet si ndihmesë e madhe për të sjellë drejtësi për krimet e kryera në Kosovë në luftën e fundit.
“Mekanizmat, qoftë të Këshillit të Evropës, por shpresojmë edhe Komisioni Evropian ta arrijë të kuptojë sa më parë të jetë e mundur se pa një presion, pa një angazhim shtesë të tyre në drejtim të autoriteteve serbe zbardhja e së vërtetës në lidhje me atë çka ka ndodhur do të jetë e pamundur”, deklaroi Ardian Bajraktari, Avokat.
Megjithatë, përkundër letrës, në Prishtinë nuk presin që Serbia të tregojë gatishmëri për bashkëpunim.
“Bazuar në diskursin që kemi, bazuar në faktin që atë në krye të shtetit vazhdon të jetë një person i cili natyrisht se me propagandë dhe jo vetëm i ka shërbyer një regjimi gjenocidal siç është ai i Millosheviçit, jam pesimist se mund të kemi brenda një periudhe të arsyeshme kohore reflektim”, shtoi avokati.
Në të kaluarën, Serbia i ka mohuar edhe krimet që ka kryer në Kosovë, ndërsa ka refuzuar të ekstradojë ndonjë të dyshuar për krime. (A2 Televizion)