Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për shkurtimin e kohëzgjatjes së afateve për votimin për shkarkimin nga funksioni kryetarët shqiptarë në katër komunat veriore me shumicë serbe në Kosovë.
KQZ miratoi një buxhet mbi 233 mijë euro ndërsa caktoi vetëm tri ditë fushatë duke filluar më 19 prill e që mbyllet mëngjesin e 21 prillit.
Po ashtu, deri në fund të kësaj jave KQZ duhet të emërojë Komisionet Komunale, që për shkak të largimit të serbëve nga institucionet duhet të dërgojë zyrtarë nga komunat tjera ashtu siç kishte ndodhur edhe në procesin e kaluar zgjedhor.
Megjithatë, në mbledhjen e KQZ-së u kërkua që të mos shkojnë zyrtarët e njëjtë. “Si do t’i qasemi tash kësaj çështje dhe ndoshta kishte me qenë mirë të zyrtarë komunalë të cilët do të mund të shkojnë atje, pra të mos shkohet gjthmonë me të njëjtat që kanë ndodh më dy proceset e mëparshme apo edhe ata të cilët vetëm se e njohin gjuhën serbe”, tha Ilir Gashi, anëtar i KQZ-së nga radhët e PDK-së.
Megjithatë, u bë e ditur se kriter për dërgimin e zyrtarëve të KQZ-së ka qenë vetëm ai i afërsisë gjeografike. “Ky ka qenë njëri ndër kriteret e para që i kemi konsideruar që komunat që janë gjeografikisht më afër atyre komunave për qëllimet e udhëtimit të përditshëm kjo ka qenë arsyeja, por sidoqoftë do ta shqyrtojmë këtë çështje edhe njëherë në rrafshin tjetër në aspektin e gjuhës, pastaj gatishmërisë e do të njoftojnë edhe KQZ kush do të jetë ushtruesit e detyrës në ato 4 komuna”, tha Burim Ahmetaj, kryeshef ekzekutiv i SKQZ.
KQZ caktoi sot edhe planin e aktiviteteve për votimin për apo kundër shkarkimit të kryetarëve në Mitrovicë të Veriut, Leposaviç, Zubin Potok si dhe Zveçan. (A2 Televizion)