Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që më 21 prill të mbahet votimi për shkarkim të kryetarëve në katër komunat në veri, Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok.
Kjo u bë e ditur në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, bëri të ditur për katër komunat në veri të dhënat lidhur me peticionet e serbëve.
Ai njoftoi se nga peticioni i organizuar në komunën e Leposaviqit, KQZ ka pranuar për verifikim listën me 3030 nënshkrime të plotësuara në 304 faqe.
Sipas tij, pas krahasimit me të dhënat e listës së votuesve e bazuar në numrin personal, rezulton se 2905 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në këtë komunë.
“Pra, numri i përgjithshëm i votuesve në komunën e Leposaviqit është 13.441 votues, ku 20 për qind e votuesve për këtë komunë i bie të jenë 2689 votues, ndaj këto nënshkrime përbëjnë 20% të votuesve në këtë komunë”, ka thënë ai.
Ndërkaq, nga raporti i verifikimit të peticionit nga Zubin Potoku, sipas shkresës së pranuar nga kryesuesi i Kuvendit komunal lista përmban 1576 nënshkrime të plotësuara në 158 faqe.
Sipas Ahmetajt, pas krahasimit me të dhënat e listës votuese të bazuar në numrin personal rezulton se 1380 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në këtë komunë duke plotësuar 20% që kërkon ligji.
(A2 Televizion)