Të vetmit që udhëtojnë me viza, deputeti slloven Nemec, raportuesi për serbët e Kosovës

Nga A2 CNN
6 Mars 2024, 21:52 | Politikë

Komisioni për Punë të Brendshme në Parlamentin Evropian emëroi të mërkurën deputetin slloven Matjazh Nemec si raportues për heqjen e vizave për serbët e Kosovës, të cilët mbajnë pasaporta të lëshuara nga Serbia.

Nemec shkroi në rrjetet sociale se serbët e Kosovës “janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor që kanë nevojë për vizë për të udhëtuar në Bashkimin Evropian”, duke nënvizuar se shpreson që kjo çështje të zgjidhet shpejt. Në nëntor të vitit të kaluar Komisioni Evropian, kishte propozuar që të hiqen vizat edhe për qytetarët serbë të Kosovës që mbajnë pasaporta të lëshuara nga Serbia, me arsyetimin se do të mbeteshin të vetmit qytetarë në Evropë pa lëvizje të lirë pas heqjes së vizave për Kosovën më 1 janar të këtij viti. 

Por, ky propozim është kundërshtuar nga qeveria e Kosovës e cila ka shprehur shqetësimin e saj pasi pasaportat e lëshuara nga Serbia i konsideron të paligjshme. Sipas qeverisë, njohja e këtyre dokumenteve, do të pengojë integrimin e komunitetit serb dhe shkel edhe frymën dhe marrëveshjet e dialogut për shuarjen e këtyre strukturave të paligjshme.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos