Nga foltorja, te përplasja me policinë, opozita dhe shoqëria civile kritika për gjendjen në arsim

Nga Ideal Gola
7 Mars 2024, 20:17 | Politikë

Kritikat për situatën në arsim nisën nga foltorja e Kuvendit. Partitë opozitare kritikuan Ministrinë e Arsimit për rëndim të gjendjes në këtë sektor, duke mos i mbajtur premtimet e dhëna e duke i bërë fajtor për largimin e mësimdhënësve nga Kosova. 

“Nga 160 çerdhe të premtuara, keni realizuar as 10% të tyre. Rezultati në PISA është më keq se që ishte edhe në vitin 2018 e të tjera e të tjera. Dhe si për ironi sot në liri, mësimdhënësit vetëm në këto dy muaj e fundit rreth 600 sosh janë larguar nga Kosova”, tha Eliza Hoxha, deputete e PDK.

“Jemi hipokritë ne që rrahim shuplaka të gjithë për veteranët e arsimit, a në të njëjtën kohë përkrahim ndryshimet ligjore me ua heq vitet kontribut-dhënëse. Imagjinoni sa hipokritë jemi”, u shpreh Ramush Haradinaj.

Partia Socialdemokrate zgjodhi një aksion përmes së cilës ngelën ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci. Ndërsa po prisnin që vetë ministrja dhe kryeministri Kurti të vinin në Bibliotekën Kombëtare për një aktivitet të paralajmëruar, ata u përplasën me Policinë e Kosovës. 

Nëntë aktivistë u arrestuan dhe u liruan vetëm pak orë më vonë. Ndërkohë, 14 organizata të arsimit para universitar nisën mbledhjen e nënshkrimeve për peticion ku i bëhet thirrje institucioneve për vëmendje dhe veprim konkret në arsim për shkak të situatës së rëndë.

“Kërkesa e parë: Riorganizimi i shkollave me më pak se 60 nxënës. Kërkesa e dytë: Pensionimi i vullnetshëm, i parakohshëm, për mësimdhënësit mes moshës 55-64 vjeçare dhe kërkesa e tretë: Vlerësimi vjetor i shkathtësive dhe njohurive të mësimdhënies për të gjithë mësimdhënësit", tha Agon Ahmeti ETEA.

Ky peticion synon të marr 10 mijë nënshkrime deri në shtator për ta proceduar në Kuvendin e Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos