Politologu Adri Nurellari deklaroi se “një qeveri normale do ta ulte tonin përçarës dhe do të përpiqej të ndërtonte ura komunikimi” me protestuesit.
“Shpallja e armiqve të brendshëm e të jashtëm është taktikë tipike. Edhe Ramiz Alia i quante ata që u arratisën “llumi i Shqipërisë”. Edhe studentët fillimisht i quante si viktima të propagandës së CIA-s, UDB-së dhe reaksionit antipopullor të klasave të përmbysura. Domethënë, kjo është taktikë tipike. Ky është edhe problemi sepse një qeveri normale do ta ulte tonin përçarës, do të përpiqej të ndërtonte ura komunikimi, nuk do merrej me anatemim, por do duhej ta pranonte legjitimitetin e kërkesave, legjitimitetin e shqetësimeve, sepse në fund të fundit janë shqetësime të interesit publik për llogaridhënie, për shtet të së drejtës, për barazi para ligjit, për transparencë… Pra, një qeveri normale nuk do vinte në pikëpyetje legjitimitetin e njerëzve për të protestuar dhe as do përpiqej t'i damkoste me gjithëfarë fjalësh, duke shkuar edhe në fjalor banal”, tha Nurellari në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
“Kjo është e kuptueshme pse ndodh, sepse çdo lëshim kjo qeveri do e shikonte si dobësi dhe kryeministri Rama ka frikë se mos duke lëshuar një gur pastaj fillon një efekt domino, krijohet një ortek, krijohet një precedent që inkurajon akoma edhe më shumë plasaritjen e pushtetit. Ai tashmë ka disa ciflosje ose plasaritje brenda ekipit të vet. Imagjino pastaj nëqoftëse projektohet si i dobët. Po ashtu do thyhej edhe monopoli i së vërtetës, sepse deri tani është përpjekur ta portretizojë veten si mbartësi i së vërtetës. Paçka se shpesh ajo është shoqëruar me “fake neës”, me insinuata nga më të ulëtat dhe me fantazi që edhe Ramiz Alia s'i ka pasur. Ramiz Alia tre armiq gjeti. Ky ka gjetur deri tani iranianë, grekë, soroistë, influencerë, algoritëm… Është e shëmtuar dhe banale. Nuk është e denjë për një vend që është në këtë faze, për të hyrë në Bashkimin Europian”, shtoi politologu.
Sa i përket BE-së, Nurellari theksoi: “Kujtoj që Gërdeci ndodhi në 15 mars të vitit 2008. Në 3 prill të vitit 2008 ndodhi Samiti i i Bukureshtit, ku Shqipëria mori ftesën për të hyrë në NATO. Pra, në 19 ditë diferencë. Kështu që, disa prej proceseve, disa prej gjërave gjeopolitike nuk ndodhin as për meritë dhe as për arritje. Domethënë, është një proces gjeopolitik edhe integrimi i Shqipërisë në BE. Madje, faktikisht këto protesta e ndihmojnë atë sepse në kapitullin 27 të piketave është shprehur qoftë çështja e heqjes së amendimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, qoftë heqja e ligjit për investimet strategjike dhe përmbushja e kritereve dhe kapaciteteve për natyrat 2030, ku përfshihet edhe Narta. Protesta faktikisht, nëse ka një arritje, është për të treguar që ka pluralizëm, e ka thyer monopolin e politikës së mbajtur nga dy partitë tradicionale dhe nga dy liderë të cilët e dominojnë jetën politike prej dhjetorit të 1990-s. Një qeveri europiane, një qeveri dinjitoze europiane nuk linçon, nuk bullizon, nuk poshtërron, por ka kurajo, ka ndershmëri për t'u ballafaquar me problemet. Në këtë aspekt, kjo tregon që ne po hyjmë në Bashkimin Europian me mik dhe Bashkimi Europian po mban pak hundën mbyllur për të na futur me zor për arsye gjeopolitike që i dimë mirë, sepse po të ishte për përmbushje të kritereve, ashtu sikurse nuk i kishim përmbushur në 2008-ën kur hymë në NATO, ashtu edhe tani nuk i kemi të përmbushura”. (A2 Televizion)