Escobar mesazhe të forta për Albin Kurtin

Nga Ideal Gola
12 Mars 2024, 20:35 | Politikë

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, konfirmoi problemet e Uashingtonit me kryeministrin Albin Kurti. Në një bashkëbisedim me gazetarë në Bruksel ai pati një gjuhë të ashpër edhe për çështjen e dinarit. Në Prishtinë nuk presin ndonjë tërheqje të vendimit, ndërsa thonë se Escobar vjen për t’i bërë të qartë Kurtit se raportet nuk janë më si dikur.

Mesazhet më të rëndësishme i dha nga Brukseli, ende pa arritur në Kosovë. I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, konfirmoi se ka probleme në komunikim mes Uashingtonit dhe kryeministrit Albin Kurti.

“Partneriteti mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, mes popullit amerikan dhe atij të Kosovës, nuk depërton përmes një njeriu në Kosovë, apo një partie. Mirëpo, më duhet të them që aktualisht kemi probleme në komunikim me kryeministrin. Kosova nuk ka problem vetëm me SHBA-të, por edhe me BE-në, NATO-n, Mbretërinë e Bashkuar dhe shumë partnerë të tjerë, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha Gabriel Escobar, i Dërguar i SHBA, për Ballkanin Perëndimor.

Esobar gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në Bruksel foli dhe për vendimin për dinarin serb në Kosovë, duke e konsideruar atë “një vendim katastrofik dhe jokompetent” nga ana e autoriteteve, duke iu kërkuar atyre të kenë parasysh shqetësimet e komunitetit serb.

Në Prishtinë megjithatë nuk presin që të ketë një ndryshim të vendimit të BQK-së dhe do t’i qëndrojnë periudhës tremujore që iu është dhënë serbëve për të kuptuar rregulloren e re dhe të mos gjobiten.

“Banka Qendrore e Kosovës është e vendosur në vendimin që e ka marr dhe nuk pres një tërheqje nga ky vendim, ose ky qëndrim i institucioneve të Kosovës përballë këtij presioni ndërkombëtar”, u shpreh Fidan Ukaj, Politolog.

Shqetësimet e theksuara në Bruksel në lidhje me raportin me kryeministrin Kurti, pritet që Escobar t’i bëjë të qarta edhe në Prishtinë.

“Z. Escobar ashtu siç e ka bërë të qartë edhe përmes deklarimeve do të jetë i qartë edhe nga vizita e takimet me krerët institucionalë të Kosovës qëndrimin e SHBA-së se institucionet e Kosovës me mosbashkërendimin, ose mospërafrimin e veprimeve, sidomos me SHBA i kanë lënduar këto raporte”, shtoi Ukaj.

Esobar do të qëndrojë në Kosovë këtë javë ku përpos takimeve më përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, do të takojë edhe shoqërinë civile si dhe komunitetin serb. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos