Përplasje në Kuvendin e Kosovës, Vetëvendosje largohet nga salla

Nga A2 CNN
14 Mars 2024, 13:49 | Politikë
 

Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë opozitare janë përplasur sot në Kuvendin e Kosovës, gjatë seancës së jashtëzakonshme në lidhje me nënshkrimin e kontratave njëburimore gjatë qeverisë Kurti. Tensione më të mëdha pati mes deputetëve të LVV-së dhe atyre të LDK-së, pas të cilave mazhoranca edhe u largua nga salla.

Duke iu kundërpërgjigjur kritikave të opozitës, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se nuk e di pse është ftuar në këtë seancë, pasi asgjë nuk ka të bëjë me atë. Por shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha se në ftesën e kësaj seance nuk ka qenë e specifikuar thirrja e ministrit Aliu, pasi kontratat njëburimore ka në të gjitha institucionet. “Kjo është seancë e jashtëzakonshme në lidhje me kontratat njëburimore të dhëna nga të gjitha institucionet e Kosovës të karakterit nacional. S’ka të bëjë kjo veç me ministrin që udhëheq, por e para është KEK, pastaj edhe vjen Ministria e Punëve të Brendshme”, tha ai.

Ndaj tij, reagoi shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, duke e konsideruar këtë debat qesharak dhe pa asnjë kuptim. Ajo përmendi edhe rastin e Komunës së Prishtinës, që sipas mbi 10 për qind e buxhetit të vitit 2023 ka shkuar në kontratat njëburimore.

Ndërkaq, në deklarimin e tij, deputeti, njëherësh kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se fenomeni i kontratave njëburimore e turpëron pushtetin. Më e ashpër në deklarimin e saj u shpreh deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila i quajti edhe hajna kabinetin qeveritar dhe mazhorancën.

“Ai ministri që iku këtu dhe që mundohet të tregohet i pastër. A dini kur ia ka ndërruar vendin drejtorit të Prokurimit, kur Thesari Amerikan e ka shti në listën e zezë. Këta jeni ju, atë “babën e tenderëve” që e quanin në qeverisjen PAN. Ky është ministri i cili në Ministrin e tij nënshkruan dy veta tendera, është Liburn Aliu dhe Hysen Durmishi. Për shkak se kanë me nda tallin apo se jo për najsen tjetër”, theksoi ajo.

Mirëpo, deputeti i LVV-së, Halil Thaçi, i tha deputetes Bajrami se edhe ajo sa ka qenë ministre ka nënshkruar kontrata njëburimore. “Këtyre po iu dhemb pak se kemi informacione ne. Ka ditë që zonja Bajrami ka ditë e ka filluar këtë propagandë mbi qeverinë Kurti. Madje ka pasur raste që zonja Bajrami ka pohuar se në kohën sa ishte ministre nuk ka lejuar dhe nuk nënshkruar asnjë kontratë njëburimore. Por unë po i përmendi vetëm katër. T’i shurdhues ulu nuk ki nevojë me bërë zhurmë. Kontratat janë: Mirëmbajta e regjistrimit të bizneseve në vitin 2014, riparimi i objektit të jashtëm të MINT, ofrimi i shërbimeve të laboratorit të termometrisë dhe lagështisë”, tha ajo.

Mirëpo këtë e mohoi deputetja Bajrami duke e quajtur gënjeshtar Thaçin. “Zotëri Thaçi mos e shfrytëzo këtë kuvend për të gënjyer sepse të gjitha që i the janë gënjeshtra. Asnjë tender nuk është në shkruar më 2014, më 2015 është një tender 2100 euro unë nuk e kam nënshkruar, më 2016 është një tender nuk e kam nënshkruar, ke gënjyer nuk e kam nënshkruar. Po gënjen”, i ka thënë ajo ndërkohë ka lëshuar ulësen e saj në Kuvend për t’i shkuar afër Thaçit, që të nxiti tensionim në Kuvend.

Pas kësaj situate, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se kjo seancë nuk ka kuptim më dhe pas këtyre sharjeve dhe ofendimeve nuk mund të qëndrojnë më në sallë. “Edhe sikur kjo seancë të kishte ndonjë kuptim, tashmë e humbi krejt për arsye se prej fillimit kur e kanë vendosur kërkesën dhe deri te debati për fyerje dhe ofendime. Prej foltores deputetja që e ka nënshkruar thirrjen për këtë seancë na shau hajna shpifës, të korruptuar. Nëse jemi të gjitha ato të mësipërm sipas deklarimit të saj, atëherë ky institucion nuk është vendi. Dihet ku është vendi ku duhet t’i dërgojnë...Nëse nuk dëshirojnë të ballafaqohen me fakte ne se cili po shahet edhe fyhet më shumë nuk jemi. Prandaj në emër të Grupit Parlamentar të LVV-së e lëshojmë këtë seancë dhe nuk kemi asnjë arsye me vazhdua”, tha ajo.

Në sallë qëndruan vetëm dy deputetë të Vetëvendosjes, Visar Korenica dhe Eman Rrahmani.

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos