“Këngë dhe rituale”, Suita Jazz që sjell kujtesën shqiptare në skenë

Nga Luela Myftari
25 Qershor 2026, 14:44 | Kulturë

Vallja e Osman Takës, Fyejt e Gramshit, historia e Tanës dhe Udha e krushqve, të përzgjedhur nga projekti Heritage is Our Brand, u ngjitën në skenën e Liceut Artistik si një qasje muzikore që bashkon traditën me estetikën moderne të jazz-it. Kujtesa, rituali dhe identiteti kulturor morën jetë nëpërmjet tingullit, improvizimit dhe rrëfimit.

Koncepti artistik, përpunimet etno-jazz të materialit folklorik shqiptar dhe kompozimet origjinale mbajnë firmën e pianistit dhe kompozitorit Andi Kongo, i cili sjell një vizion bashkëkohor mbi trashëgiminë muzikore shqiptare.

Ermal Rodi në fyell dhe klarinetë, Elona Islamaj në violinë dhe vokal, Iris Sula në vokal, Arbin Alimeri në bas dhe Emiljan Dhimo në bateri u bënë bashkë në skenë. Ndërsa, Eno Basha dhe Iris Sula e udhëhoqën publikun nëpër histori, rituale dhe emocione, që janë pjesë e kujtesës kolektive shqiptare.

“Këngë dhe Rituale” propozon një formë të re dialogu mes trashëgimisë dhe krijimtarisë bashkëkohore, duke dëshmuar se historia dhe kultura tradicionale mund të komunikojnë fuqishëm me publikun e sotëm përmes gjuhës universale të muzikës.

Ky projekt realizohet në kuadër të skemës së granteve të “Heritage is Our Brand”, një nismë e financuar nga Bashkimi Evropian dhe e zbatuar nga DMO Albania dhe EU Policy Hub. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos