Komisioni Europian ka miratuar një propozim për të siguruar që edhe qytetarët e Kosovës që posedojnë pasaporta serbe të mund të lëvizin lirshëm në BE, pas liberalizimit të vizave. Pritet që ky propozim tani të miratohet nga parlamenti dhe Këshilli Europian.
“Më 16 nëntor, Komisioni miratoi një propozim për të siguruar që të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor të mbulohen nga një regjim pa viza kur udhëtojnë në BE. Propozimi për ndryshimin e rregullores së BE-së për vizat do t'u lejojë serbëve të Kosovës që janë mbajtës të pasaportës serbe të lëshuar nga Drejtoria Koordinuese Serbe, të udhëtojnë pa viza në BE. Hapi tjetër tani është që propozimi të diskutohet dhe miratohet nga Parlamenti dhe Këshilli. Ai do të plotësojë hyrjen në fuqi të regjimit pa viza për mbajtësit e pasaportave të Kosovës më 1 janar 2024. Po, kjo është ajo që mund të them në këtë fazë”, deklaroi Christian Wigand, zëdhënës i Komisionit Europian. (A2 Televizion)