Kryenegociatorët në Bruksel - Kosova do firmë, Serbia kompetenca ekzekutive

Nga Xhevahir Qardaku
16 Nëntor 2023, 18:53 | Kosova

Aman më tregoni dhe mua si ia keni bërë ju që Vuçiç të firmoste marrëveshje me ju”.

Kërkesën që kryeministri Albin Kurti e ka përsëritur vazhdimisht ditëve të fundit, kryenegociatori Besnik Bislimi e dërgoi në Bruksel. Qeveria e Kosovës këmbëngul në firmosjen e marrëveshjeve me Serbinë, si garanci për të ecur përpara drejt normalizimit.

Pas përfundimit të takimit mes Bislimit me ndërmjetësuesin e Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak, kryenegociatori njoftoi se diskutoi për zbatimin e marrëveshjes bazike, aneksin implementues dhe planin e ri për të ecur përpara.

“Republika e Kosovës theksoi qëndrimet e saj si dhe gatishmërinë për nënshkrim dhe zbatim të plotë të marrëveshjeve. Draft-propozimi për zbatim të nenit 7 ndërlidhur me nenin 10 nuk ishte pjesë e diskutimeve, por u ritheksua qëndrimi i Kryeministrit Kurti të paraqitur me 26 tetor para liderëve, që nënkupton se ecja tutje duhet bërë në pajtim me parimin se vetëm nënshkrimi nënkupton pranim dhe zbatim të marrëveshjeve.”

QEVERIA E KOSOVËS

Në Bruksel ishte edhe kryenegociatori serb për dialogun, Petar Petkoviç, i cili gjithashtu zhvilloi një takim me Lajçak. Ai bëri të ditur se bisedoi me ndërmjetësuesin europian kryesisht për draft-statutin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Petkoviç përballë Lajçakut shkoi me një delegacion ekspertësh, siç tha ai “për hertimin e statutit të asociacionit”.

Ata folën qartë për të gjitha aspektet e draft-statutit, veçanërisht për pjesën që i referohet pushtetit ekzekutiv, në radhë të parë planifikimit hapësinor, shëndetësisë, arsimit, zhvillimit ekonomik dhe financimit nga Beogradi”, tha Petkoviç.

Kryenegociatori serb shtoi se në agjendë ishin dhe çështja e energjisë dhe ajo e të pagjeturve, për të cilat tha se pritet përparim. Ndërkohë, në Bruksel nuk pati takim trepalësh mes Bislimit, Petkoviç dhe Lajçakut.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu