Kërkohet drejtësi për Liridona Ademajn, protestë në Kosovë: Dhuna ndaj grave të trajtohet me seriozitet

Nga Xhevahir Qardaku
7 Dhjetor 2023, 22:55 | Sociale

Për herë të dytë brenda dy ditësh, në sheshet kryesore të Prishtinës është protestuar duke kërkuar drejtësi për Liridona Ademajn, 30-vjeçaren së cilës iu mor jeta nga një inskenim i një grabitjeje në fshatin Bërnicë të kryeqytetit të Kosovës, me të dyshuar kryesor bashkëshortin e saj Naim Murselin dhe dy të tjerë. 

Protesta e sotme e thirrur nga Artopolis me moton “Stop femicidit” nisi me një performancë artistike që përcolli mesazhin për angazhimin e grave për familjen e në të njëjtën kohë shtypjen e tyre.

Protestuesit kërkuan drejtësi për Liridona Ademajn dhe që çështjet e dhunës ndaj grave të trajtohen me urgjencë nga organet kompetente.

Nertila Qarri – Gërguri u shpreh: “Jeta e grave cenohet çdo ditë në shtëpi, në rrugë, në punë, në hapësira publike e private. Është momenti i fundit që institucionet tona dhe shoqëria ta trajtojë me seriozitetin më të lartë vrasjen e grave dhe dhunën sistematike dhe të shumëfishtë ndaj tyre”.

Të tronditur me rastin u shprehën edhe qytetarët pjesëmarrës në protestë të cilët kërkuan dënime me të ashpra për dhunuesit e grave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos