Brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë filluar të mblidhen nënshkrimet për thirrjen e kuvendit të jashtëzakonshëm të kësaj partie pas rezultatit jo të mirë në zgjedhjet e fundit.
Në këtë kuvend pritet që të kërkohet shkarkimi i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Mediat në Kosovë theksojnë se këtë iniciativë po e udhëheqë kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, i cili, gjithnjë sipas burimeve të KosovaPress, po viziton degët në nivel vendi dhe po kërkon nënshkrimet e delegatëve.
Burime të KosovaPress brenda njërës nga degët e LDK-së dhe nga delegatë që tashmë e kanë dhënë nënshkrimin e tyre, gjithashtu mëson se numri i nënshkrimeve deri më tani është rreth 150, derisa është e ditur se LDK ka gjithsejtë 355 delegatë. Për më tepër, ishte Shkëmb Manaj ai që po ashtu ishte për vizitë në po të njëjtën degë duke provuar t’i bind delegatët që të mos i japin nënshkrimet e tyre.
Përplasjet e hapura brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës - partisë që shihet si partnerja më e mundshme e Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e një shumice qeverisëse - kanë ngritur pikëpyetje jo vetëm për të ardhmen e saj politike, por edhe për ndikimin që mund të kenë në procesin e formimit të institucioneve.
Në këtë klimë, analistët vlerësojnë se mënyra se si do të menaxhohet kjo krizë, mund të ndikojë në kapacitetin e LDK-së për të negociuar një marrëveshje politike, edhe pse nuk besojnë se vetëm zhvillimet brenda saj do ta përcaktojnë fatin e institucioneve të reja.
LDK-ja u rendit e treta në zgjedhjet e 7 qershorit, pas Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, duke mos arritur të ndryshojë pozicionin që ka mbajtur edhe në dy palë zgjedhjet paraprake - më 9 shkurt 2025 dhe më 28 dhjetor 2025.
Ky rezultat riktheu debatet e brendshme mbi drejtimin e partisë. Këtë javë, së paku dy kryetarë komunash dhe disa drejtues degësh kërkuan publikisht dorëheqjen e Abdixhikut, duke argumentuar se ai duhet të marrë përgjegjësi për rezultatin zgjedhor dhe për mungesën e një rritjeje të ndjeshme elektorale.
Abdixhiku iu përgjigj kritikëve me kundërkërkesë, duke u bërë thirrje atyre që të japin dorëheqje. Përplasjet u reflektuan shpejt edhe në diskursin politik mes partive.
Nga koalicioni fitues u tha se mbetet e paqartë se me cilën “rrymë” brenda LDK-së duhet të zhvillohen negociatat për krijimin e institucioneve, ndërsa nga vetë LDK-ja u përgjigjën se partia ka vetëm një adresë për vendimmarrje: kryetarin Lumir Abdixhiku. (A2 Televizion)