Podujeva kthehet në fushëbetejë, katër të plagosur pas të shtënave me armë zjarri

Nga A2 CNN
2 Korrik 2026, 18:44 | Kosova

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Podujevë të Kosovës. Katër persona janë plagosur pas të shtënave me armë zjarri. Autoritetet shëndetësore thanë se ata kanë plagë të rënda, por shtuan se gjendja e tyre është stabile. Të shtënat u raportuan në orën 13:30 të së enjtes.

“Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe, nga informacionet e para, dyshohet se katër persona janë plagosur dhe të njëjtit janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, tha ai.

Drejtori i Klinikës së Emergjencës në QKUK, Naser Syla, tha se gjendja e tyre “është stabile për momentin”. Ai shtoi se të lënduarit kanë plagë nga armë zjarri dhe po u nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme.

“Para 30 minutash në Qendrën Emergjente kanë sjellë katër pacientë me lëndime të rënda nga armë zjarri. Janë kryer disa prej ekzaminimeve të nevojshme në Qendrën Emergjente. Gjendja e tyre është stabile, por mund të themi se është ende e rëndë. Njëri prej tyre është dërguar në sallën operative, ku po operohet nga ekipet kujdestare të anestezionit dhe neurokirurgjisë, ndërsa tre të tjerë po ekzaminohen dhe trajtohen në Qendrën Emergjente”, tha ai.

Zëdhënësi i Policisë për Kryeqytetin, Enis Pllana, konfirmoi më herët se rreth orës 13:30 është pranuar informacioni për të shtëna me armë zjarri në Podujevë.

“Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe, nga informacionet e para, dyshohet se katër persona janë plagosur dhe janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor”, tha Pllana për KosovaPress.

Pllana shtoi se aktualisht njësitet policore po kryejnë veprime hetimore me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Policia po ashtu po ndërmerr veprime hetimore për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarjeje.

Në Kosovë llogaritet se në duart e qytetarëve gjenden mijëra armë zjarri pa leje.

Ekspertët kanë argumentuar se është i nevojshëm konfiskimi i tyre me qëllim që të ulet numri i incidenteve të armatosura. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos