Rasti me 53 milionë euro, ish-ministri Pal Lekaj dënohet me burg për rrugën "Arbën Xhaferi"

Nga Xhevahir Qardaku
31 Janar 2024, 15:23 | Kronikë

Rasti me 53 milionë euro, ish-ministri Pal Lekaj dënohet me burg

Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me burg ish ministrin e infrastrukturës, Pal Lekaj, po ashtu edhe 3 persona të tjerë lidhur me 53 milionë eurot që qeveria e Kosovës i kishte paguar “Bechtel-Enkës”, për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradë. Ata u shpallën fajtor për shpërdorim detyre, por dënimi do të ekzekutohet pasi aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.

“Të akuzuarit Pal Lekaj i shqipton dënim me burg në kohëzgjatje prej tre vjet e tetë muaj. Ky dënim do të ekzekutohet në momentin kur aktgjykimi do të bëhet i formës së prerë. Po ashtu të akuzuarit Pal Lekaj i shqipton dënim plotësues, konform nenit 65, në kohëzgjatje prej tre vjet e gjashtë muaj, ndalimin e ushtrimit të funksionit publik në Administratë Publike.”, tha Violeta Namani, gjyqtare.

Në përfundim të seancës, avokatët mbrojtës e konsideruan dënimin skandaloz, duke sqaruar se vendimi do të apelohet.

“Vendimi i sotshëm është skandaloz dhe i njëjti do të apelohet për në gjykatën e shkallës së dytë, për arsye se provat gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor kanë qenë të panumërta në drejtim të sqarimit të kronologjisë dhe implikimeve buxhetore që ka pasur ky projekt kapital për vendin. Ky është një projekt i cili ka filluar para shumë kohë se klienti im, ish ministri i Infrastrukturës të pranoi detyrën. Ky është një projekt i cili që nga fillimi është krijuar me vonesa dhe implikime buxhetore.”, u shpreh Musa Damati, avokat i Pal Lekaj.

Aktakuza ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj, këshilltarit të tij politik Eset Berisha dhe Sekretarëve të përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit ishin ngritur nga Prokuroria Speciale në shkurt të vitit 2022. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos