Detaje të reja janë zbuluar nga zbardhja e dosjes së të resë Liridona Ademaj, e cila u ekzekutua pranë banesës së saj nga një vrasës që dyshohet se u pagua nga bashkëshorti i saj Naim Murseli, për motive ende të paqarta.
Sipas dëshmisë përpara grupit hetimor, autori i krimit të rëndë Granit Plava është shprehur se është porositur pikërisht nga Naim Murseli për të vrarë Liridona Ademajn.
Takimi i tyre ka ndodhur rreth një javë para se të kryhej vrasja në një pikë karburanti në Gremnik të Klinës. Në tavolinë me ta ndodhej edhe Kushtrim Kokalla.
“Gjatë bisedës në prezencë të të treve, Naimi më ka thënë se do t’i marrësh 30,000.00 euro pasi ta vrasim këtë grua. Në këtë ditë është përmend edhe kallashi për ta ekzekutuar këtë grua, por nuk kam pranuar. Pak para se të largohem m’i ka dhënë dhe 400 euro, dhe Kushtrimit ia ka dhënë një shumë tjetër dhe jemi marrë vesh që të kryhet kjo punë”, rrëfen Plava.
Plava ka dëshmuar se Murseli e ka telefonuar në ditën e vrasjes së Ademajt dhe i ka kërkuar që të kryente porosinë.
“Në ditën e vrasjes më ka telefonuar në Whatsapp dhe më ka thënë se sot duhet të kryhet kjo punë, duke më thënë se ti e di se ‘kam pare unë, nëse ndodh diçka unë do të të nxjerr’. Më ka marrë me makinën e tij Range Rover rreth orës 12:00 ku kemi bërë gjiro tek Liqeni i Radoniçit. Aty është prishë goma e makinës dhe kemi shkuar në fshatin Novosellë e Epërme ku aty pronari i një gomisterie pasi e kemi rregulluar gomën, Naimi ka thënë se e mora këtë armë nga pronari”, shton ai.
Plava shton se në momentin e vrasjes së Liridona Ademajt, në veturë ka qenë edhe Naim Murseli.
(A2 Televizion)