Gjykata e Prishtinës ka zgjatur me 2 muaj afatet e paraburgimit për shtetasit Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava, të akuzuar si organizatorë dhe ekzekutorë të 33-vjeçares Liridona Ademaj.
“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve N.M, G.P, dhe K.K, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, ashtu që tre të pandehurve iu vazhdohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy muaj, për secilin. Masa e paraburgimit të pandehurve iu është vazhduar nga data 31.12.2023 deri më datë 29.02.2024”, shkruhet në njoftimin e gjykatës.
Ngjarja ku mbeti e vrarë Liridona Ademaj tronditi opinionin publikë në Kosovë dhe Shqipëri dhe konsiderohet si një ndër më të rëndat që ka ndodhur pas luftës.
Për vrasjen e saj, është arrestuar ish-bashkëshorti, Naim Murseli, si organizator i këtij krimi të rëndë.
Naim Murseli, dyshohet se porositi vrasjen e gruas së tij Liridonës, duke i premtuar 30 mijë euro Granit Plavës që ta kryente vrasjen. (A2 Televizion)