Vrasja e 18-vjeçarit që tronditi Kosovën, ekspertët: Dështim i sistemit arsimor dhe shoqërisë

Nga Tomorr Avdia
24 Janar 2024, 20:42 | Kronikë

Jehona e vrasjes së 18-vjeçarit Lulzim Fejzullahu nga 2 të mitur në Podujevë, është ende e fortë në Kosovë, ku është tronditur i gjithë opinioni. Ekspertët fajësojnë shoqërinë dhe sistemin arsimor që siç thonë ka dështuar të parandalojë akte të tilla.

Ende pa u shuar jehona për vrasjen e Liridonës, një tjetër krim makabër trondit opinionin e gjerë në Kosovë. Rrahja për vdekje e Lulzim Fejzullahut nga dy të mitur në Podujevë vazhdon të thellojë krizën, në të cilën po zhytet shoqëria dhe në veçanti,  brezi i ri në vendin tonë.

Sipas ekspertëve të fushës, dy janë çështjet që po ndikojnë në nxitjen e të rinjve për të kryer akte të tilla dhune: sistemi arsimor dhe rrjetet sociale.

Doktori Psikiatër Ferid Agani ka deklaruar për A2CNN, se shoqëria jonë akoma po vuan traumat e pas luftës të cilat janë paralajmëruar më herët.

Sipas Aganit, sistemi arsimor vazhdon të jetë problematik dhe shumë sipërfaqësor për tē parandaluar aktet e dhunës dhe të krimeve të tilla si ky i rastit të 18-vjeçarit Fejzullahu.

Kurse eksperti i sigurisë Nuredin Ibishi pohon për A2CNN,  se mekanizmi i parandalimit nuk funksionon në Kosove, ka mungesë të theksuar të koordinimit si strategjitë e sigurisë në komunitet.

Eksperti Ibishi thekson se gjate viteve të fundit i është kushtuar pak vëmendje nga mekanizmat e shtetit dhe rolit të policisë në lagje dhe komunitet.

Shoqëria jonë vlerësojnë ekspertët, duhet pranojë që janë para një sfide, siç është dhuna dhe vrasjet makabre, të bëhen bashkë për të  ndërtuar mekanizma parandalues, ose në të kundërtën do të bëhemi vetëm dëshmitarë të këtyre akteve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos