Rrahën një serb në veri, pezullohen dy policë të Kosovës

Nga A2 CNN
31 Tetor 2024, 07:26 | Kronikë

Rrahën një serb në veri, pezullohen dy policë të

Dy policë të Kosovës janë pezulluar nga detyra për shkak të pretendimeve të një qytetari të Mitrovicës së Veriut, se është rrahur prej tyre.

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar pezullimin e dy policëve, për shkak se më 26 tetor kanë keqtrajtuar Millosh Subotiqin nga Mitrovica e Veriut.

“Inspektorati Policor, në kuadër të kompetencave ligjore, do të ndërmarrë edhe veprime të tjera hetimore në koordinim me organin kompetent për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës i ka mohuar pretendimet e Subotiqit dhe ka thënë se ai kishte qenë i dehur dhe kishte tentuar që të dëmtonte një pronë private.

Lidhur me këtë incident kanë reaguar disa organizata joqeveritare serbe nga veriu i Kosovës, të cilat kanë ndërprerë bashkëpunimin me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë EULEX, derisa të japin një qëndrim për këtë rast.

“Në këtë kontekst dhe në përputhje me mandatin e EULEX-it, roli ynë është t'i përcjellim hetimet e kryera nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe nga prokuroria”, tha EULEX-i.

Megjithatë, grupi i organizatave joqeveritare – Aktiv, Nisma e Re Sociale, Qendra për Veprime Afirmative Sociale, Qendra për Përfaqësimin e Kulturës Demokratike dhe Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial, këmbëngul se Policia e Kosovës po përdor forcë të tepruar dhe u bëri thirrje organizatave ndërkombëtare dhe misioneve diplomatike që "të merren me këtë problem". REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos