Në mesin e marsit të vitit 1998, Donika Shahini, atëherë 19-vjeç dhe gazetare në televizionin publik japonez NHK u rikthye për të disatën herë në Prekaz. Ani pse vetëm disa ditë më parë, kur mori pjesë në varrimin e Jasharëve dhe nga tronditja që pësoi prej asaj që kishte parë kërkoi të mos vazhdonte më punën.
Një detyrë nga Tokio për të sjellë një kronike nga brenda shtëpive të Jasharajve e kthehu në Prekaz por atë ditë nga ato shtëpi simbol në Kosovë mori edhe një copë historie. Një kukull dhe një fletore.
“Instiktivisht duke pasur veprimin e Masotos (kolegun japonez) e shoh këtë fletore, e kam marr, nuk kam ditur se çfarë po marr, shumë rastësisht, e kam bartur në duar bashkë me kukullën, kemi mbaruar punë, kemi filmuar nëpër dhoma, dhe jemi kthyer sepse ata na dhanë vetëm 15 minuta”, tha ish-gazetarja e NHK, Donika Shahini Lami.
Për Donikën, fletorja është dëshmi për një fëmijëri të lënë përgjysmë dhe një sakrificë sublime për lirinë e Kosovës.
“Fletorja përmban emra dhe vizatime të ndryshme, pjesa kryesore ku ne kemi vendosur, ku ka vendosur ta pasqyrojë në ekspoze është një natyrë e qetë dhe kështu kemi dashur ta japim mesazhin se ata fëmijë kanë qenë si çdo fëmijë tjetër i Kosovës, e kanë parë mbase jetën me ngjyra”.
Fletorja është vetëm një prej 1000 artefakteve e fotografive dhe mbi 30 orëve materiale video që janë shfaqur në ekspozitën “Reporting House” në Prishtinë në një hapësirë prej 1700 metrash katrorë.
Ekspozita që solli BIRN Kosova, Prishtina Biennale dhe Paper Gallery pasqyron luftën e fundit në Kosovë dhe prezanton punën e gazetarëve, fotografëve dhe artefaktet e kohës, të shoqëruara me vepra të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimin e luftës.
“Kjo ekspozitë tentoi pas 25 vitesh, vendosëm me mbledh arkivë të rezistencës paqësore dhe rezistencës së armatosur në të cilën ka kaluar Kosova. Është historia e civilëve të Kosovës, e qytetarëve të thjeshtë, të cilët kanë rezistuar shumë vite para se me ndodh bombardimet”, tha Jeta Xharra, Drejtoreshë e BIRN Kosova.
“Nuk ka mënyrë tradicionale të ekspozitës, nuk ka fotografi të printuar nëpër mure, nuk ka korniza, nuk ka piktura, ideja jonë që me qenë sa më shumë e shkëputur fotografitë me qenë një distancë, as në tokë në qiell siç themi ne, që me ta jap një pikëpamje që është në vazhdim”, tha Gazmend Ejupi, kurator i ekspozitës “Reporting House”.
“Po konsiderojmë që nuk duhet me prit që vetëm shteti me bo diçka, në ‘90-tat nuk kemi prit shteti me na i bo shkollat, të na shtorojë livadh, vetë kanë marr iniciativë njerëzit, i kanë lëshuar shtëpitë për shkolla, e hajde ta kthejmë atë mënyrë qysh kemi punuar në ’90-ën kemi marr vetë inciativë”, tha Jeta Xharra, Drejtoreshë e BIRN Kosova.
Ndërsa Donika si gazetare ishte në Prekaz, Ridvan Slivova, fotoreporter i gazetës “Rilindja” po memorizonte disa prej protestave më të bujshme në marsin e vitit ’98 në Prishtinë.
“Fotoaparatin ende e kam në shtëpi. Ka qenë Canon AN1, një Canon i vjetër, manual i vjetër, të gjitha këto janë punuar me atë lloj aparati, ose e gjitha janë zhvilluar me filma bardh e zi”, tha Ridvan Slivova, ish-fotoreporter i “Rilindjes”.
Protesta e grave me bukë në dorë apo me fletë të bardha janë vetëm dy prej fotografive të Slivovës të paraqitur në përmasa të mëdha në këtë ekspozitë. Deri të shkrepja e tyre nuk ka qenë e lehtë për shkak të kundërshtimit të regjimit të atëhershëm.
“Rreziqet kanë qenë çdo herë, sidomos ne iu kemi dal para syve të tyre, si kjo protestë ka edhe fotografi të tjera në këtë ekspozitë, ku marshi vazhdon, barabartë me marshin ka qenë kordoni i milicisë speciale të Serbisë, kështu që frika ka qenë, pengesa kemi pasur, na kanë fyer, na kanë ofenduar, por qëllimi ynë ka qenë një dhe atë deri në fund e kemi çuar”, shtoi Slivova.
Puna për “Reporting House” ka nisur para tre vitesh kur vetë Xharra kishte nisur intervistimin e gazetareve dhe përkthyesve që ishin angazhuar gjatë luftës. Materialet janë marr nga arkivat e televizioneve më të mëdha botërore që kishin mbuluar luftën.
“Ne i bindëm këta gazetarë të fillojnë të na sjellin kasetat mandej gjetëm mjete të cilat i digjitalizonin prej materialit beta në digjital dhe mandej filluam t’i përkthejmë, t’i titrojmë mbi 30 orë material video që i kemi marr dhe diku 1000 fotografi që i kemi mbledhur prej shumë fotografëve”, shtoi Xharra.
“Sfida më e madhe për këtë ekspozitë ka qenë materialet, cilat janë prioritetet, çdo gjë është prioritet. Ekspozita është në proces të 'work in progress' kur ne vetëm mbledhim materiale dhe kohë pas kohë ndërrojmë materialet që me pas një përditësim të vogël ku edhe publiku mundet të sjellë materiale që të ndajë me shikuesit e tjerë”, shtoi Ejupi.
Mungesa e një muze të luftës ka bërë që “Reporting House” në sheshin pranë Qeverisë në Prishtinë të jetë si një adresë edhe për vizitorë të huaj për të kuptuar për rezistencën e shqiptarëve por edhe për të rinjtë që i takojnë një brezi tjetër.
“Filluam me ‘Reporting House’ kështu duhet të tregohet e vërteta, kështu duhet që fëmijët tanë, të rinjtë tanë, se liria nuk na ka pikur nga qielli, nuk na ka sjellë lejleku, për këtë liri fëmijëri janë ndal në gjysmë, për këtë liri kanë kontribuar në një mënyrë ose tjetrën”, shtoi Shahini Lami.
“Na duhet, ja sot ja kurrë, të dëshmojmë ngjarjet në mënyrë kronologjike në Kosovë. Nuk duhet të ndalemi vetëm te lufta, se lufta është një kurorë e lirisë që e gëzojmë sot por para luftës ka qenë edhe shumë vite të tëra, ka pasur shumë masakra të tjera, shumë viktima, fëmijë, gra, burra, të burgosur, studentë, të gjithë”, shtoi Slivova.
Kuratori Ejupi i bëri pjesë të ekspozitës edhe shtatë artistë në kënde të ndryshme të cilët përmes mënyrës së tyre të veçantë sjellin përvojat e situatave në kohë lufte, prej tyre edhe dy artistë shqiptarë Anri Sala dhe Adrian Paci.
Në hapësirat e jashtme të ekspozitës është mjeti “Land Rover-i” i gazetarit Vaughan Smith që si pjesë e Frontline News e kishte shfrytëzuar për dy vite për të udhëtuar në zonat më të nxehta të luftës në Kosovë.
“Reporting House” do të jetë e hapur deri në mes të muajit shtator edhe pse është në kërkim të një shtëpie të përhershme, pasi vetë ekspozita po pret të pasurohet edhe më tej.
“Na jemi duke kërkuar edhe prej institucioneve lokale, komunës dhe prej Ministrisë Kulturës, institucioneve qendore, të na mundësohet një vend i përhershëm. Ne jemi të përkushtuar përmbajtjen ta zgjerojmë, njerëzit duhet ta dinë që na se kemi kryer përmbajtjen, por kërkojmë kontribute të arkivave, të fotografive, artefakteve që i kanë ruajtur njerëzit prej luftës”, tha drejtoresha e BIRN Kosova.
Për vetë gazetarët e kohës është e rëndësishme të njihet kontributi i tyre dhe vështirësitë nëpër të cilët kaluan.
“Nga viti '90 deri në fund të '98 unë 20 herë jam çu në stacion policisë, edhe 100% për punën time profesionale, i kemi kuptuar rreziqet, kemi shkuar, na kanë liruar, kemi vazhduar prapë profesionin tonë, megjithëse kemi pasur kërcënime mos të vazhdojmë profesionin por ky ka qenë qëllimi dhe profesioni im”, nënvizoi Slivova.
“Është një percepcion i gjerë i situatës dhe ta jep një mundësi me pa se nuk ka filluar gjithçka në '99-ën, ka mbaruar në '99-ën, është fituar lufta në vitin 1999 mirëpo për mbajtjen e shtetit dhe për interpretimin e të vërtetës duhet të vazhdojë çdo ditë”, theksoi ish-gazetarja e NHK. (A2 Televizion)