2 mijë euro në muaj për terroristët, Kurti: Radoiçiç po organizon sulme të reja në Kosovë

Nga A2 CNN
23 Dhjetor 2023, 13:08 | Kosova
 

Milan Raodiçiç po riorganizon sulme të reja kundër Kosovës. Teksa kanë kaluar gati 3 muaj, nga rebelimi i armatosur i Banjskës, i marrë përsipër nga ish/zv-kryetari i Listës Serbe, Radoiçiç, kryeministri Albin Kurti paralajmëron mbi mundësinë e ripërsëritjes së skenarit që riktheu frikën e luftës në Kosovë.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministrin e Brendshëm Xhelal Sveçla, nuk ofroi dëshmi për të mbështetur pretendimet e tij, por këmbënguli në përfshirjen e strukturave të shtetit serb.

Ai tha seRadoiçiç, i cili gjendet në Serbi, mban takime të rregullta me inteligjencën e Beogradit dhe i paguan nga 2 mijë euro në muaj pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist. Shefi i ekzekutivit përmendi disa lokacione në Serbi, përfshirë poligone ushtarake, ku pretendoi se po stërviten pjesëtarët e grupit të Radoiçiçit.

Radoiçiç po vazhdon përgatitjet për sulme të reja ndaj Kosovës, po mban takime sekrete në BIA. Pjesëtarë terroristë po paguhen nga dymijë euro, ata po strehohen në objektet e tij. Planet për sulme tentojnë destabilizimin e vendit tonë. Në vend se të dorëzon terroristët, Serbia po shfrytëzon ata për sulme të reja. Terrorizimi është sfidë për ne, por nuk do të triumfojë.

Sipas Kurtit patrullimet e përbashkëta me KFOR përgjatë kufirit me Serbinë kishin penguar deri më tani vënien në zbatim të planeve. Sakaq, ministri i Punëve të Brendshme bëri një kronologji të ngjarjes së 24 shtatorit, me fotografi, harta dhe pamje të shkëputura nga droni.

Duke theksuar se policia e Kosovës dhe zyrtarët e saj janë sulmuar 114 herë që prej vitit 2021 në veriun e vendit, Sveçla tha se kishin ofruar fakte të mjaftueshme për të konfirmuar planet e Serbisë për destabilizim të vendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos