“Amerikës iu lidhën duart pa të”, Escobar thotë se Asociacioni do të sillte njohje të reja për Kosovën

Nga Xhevahir Qardaku
17 Maj 2024, 11:19 | Politikë

“Asociacioni”, kjo është fjala që po mbizotëron në gojën e ndërkombëtarëve karshi Kosovës. Në intervistën e tij të fundit, përpara largimit nga posti, i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, thotë se aleatët duhej të kishin këmbëngulur më shumë në zbatimin e plotë dhe jo të lehtësonin procesin e afrimit të Prishtinës dhe Beogradit.

Duke folur në Balkans Debrief në Qendrën e Europës në Këshillin e Atlantikut, zyrtari i Departamentit të Shtetit pranon se palët nuk kanë pasur vullnet për normalizimin e raporteve. Escobar pranon se çështja e asociacionit është thelbësore për Kosovën, më e vështira nga të gjitha, por që duhet adresuar problemi i minoritetit serb.

“Kjo ka qenë vërtetë një çështje shumë e vështirë, sepse rruga europiane përfshin pjesë të rëndësishme të këtij asociacioni në çdo hap. Nga perspektiva amerikane, ne besojmë se pranimi i propozimit europian përmes një procesi Europian, që është dialogu dhe një marrëveshje e garantuar nga Bashkimi Europian, do t’i mundësonte palës amerikane mundësinë që të lobonte në shtetet europiane për të thënë që Kosova ka bërë gjithçka që Europa i ka kërkuar, prandaj njohjet e reja janë të garantuara. Tani, pa atë asociacion, ne nuk kishim shumë gjë në dorë për të punuar”, tha Escobar.

Brukseli dhe Uashingtoni kanë përsëritur vazhdimisht që formimi i Asociacionit është zhvillimi kryesor që do të zhbllokonte shumë procese, si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, shtet ndaj të cilit do të binte pesha më e madhe e presionit për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit.

Qeveritë në Prishtinë kanë refuzuar vazhdimisht zbatimin e marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015, për shkak të dyshimeve dhe frikës se kjo do të çonte drejt një autonomie për serbët në Kosovë, të ngjashme me Republika Srpska në Bosnjë.

Por ndërkombëtarët, kryesisht aleatët si Amerika dhe Gjermania, kanë siguruar Kosovën se nuk do të lejojnë një ndarje të shtetit.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos