Zotimi për Asociacionin, opozita kritikon qeverinë: Vonë dhe në adresë të gabuar

Nga A2 CNN
16 Maj 2024, 23:14 | Politikë

Zotimi i Kosovës që do të nisë themelimin e Asociacionit duke përgatitur vetë një draftstatut nuk është pritur mirë nga opozita parlamentare në Prishtinë.

Partia Demokratike e Kosovës e cilësoi si mashtrim dhe propagandë letrën e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, duke paralajmëruar se kjo mund të sjellë pasoja në raportet me vendet aleate. 

Ariana Musliu-Shoshi, deputete e PDK, tha: “Nuk kërkojnë që të jetë draftstatut tjetër të cilin as nuk e kanë diskutuar, as nuk është implementuar, as nuk është marrëveshje ndërkombëtare, pra ka kaluar koha kur Kosova ka pasur këtë të drejtë që të draftojë një statut të Ascoacionit”. 

Për Lidhjen Demokratike të Kosovës është e pakuptueshme që letra t’i dërgohet Asamblesë Parlamenatre të Këshillit të Evropës pasi nuk është kusht nga ky institucion, ndërsa u vlerësua edhe një lëvizje e vonuar. 

Arben Gashi, shef i grupit parlamentar të LDK, deklaroi: “Mendoj se është veprim politikisht i gabuar, taktikisht i gabuar dhe humbje për Kosovën sepse Kosova tashmë ka humbur mundësinë që në këtë mbledhje të Komitetit të Ministrave të merret vendim pozitiv për anëtarësim në KiE”. 

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e quan të panevojshme letrën e ministres Gërvalla, pasi një zotim i tillë është bërë kohë më parë edhe nga tre krerët e shtetit. 

Time Kadrija, deputete e AAK, shprehet: “Një është e vërteta dhe e vërteta është se kjo qeveri e ka pranuar Asociacionin, e ka pranuar marrëveshjen dhe është zotuar se do ta implementojë në tërësi. Ndërsa të gjitha këto ekzibicione me çështje dhe veprime populiste janë veprime që po i bëjnë për hir të elektoratit dhe masës që i kanë votuar”. 

Për ish-zëvendësin e Kurtit, tanimë deputet i pavarur, Haki Abazi, veprimi i qeverisë është mashtrim për qytetarët dhe për të gjithë aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje që kanë humbur jetën për kauzën kundër Asociacionit. 

Deputeti Haki Abazi tha: “Kjo është shkelje mbi gjakun e Astrit Deharit, kjo është shkelje mbi të gjithë aktivistët të cilët kanë rënë me idenë e idealin që Kosova nuk do të pranojë “Zajednicë” përbrenda rendit kushtetues”. 

Kosova premtoi “një mekanizëm që do të rregullonte vetëmenaxhimin, koordinimin dhe bashkëpunimin e komunave serbe në Kosovë” në këmbim të anëtarësimit të vendi tnë Këshill të Evropës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos