Përpjekja e fundit e Kosovës, Gërvalla letër KiE: Hapi i parë për asociacionin, në fund të majit

Nga Xhevahir Qardaku
16 Maj 2024, 12:40 | Politikë

Kosova ka bërë dhe përpjekjen e fundit për të bindur Këshillin e Europës që të mos shtyjë procesin e anëtarësimit.

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, i ka dërguar një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të organizatës së rëndësishme, duke nënvizuar qartë angazhimin e Prishtinës, për të nisur me formimin e asociacionit brenda muajit maj.

“Letra përmban zotimin që qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë një draft për krijimin e një mekanizmi për vetëmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili përmbush detyrimet e trashëguara ndërkombëtare të Kosovës, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serb të Republikës së Kosovës, por njëkohësisht respekton në tërësi dhe në secilin detaj të tij Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe njëkohësisht edhe parimet e Këshillit të Euvropës”, lexohet në njoftimin e Gërvallës.

Ministrja thotë se me këtë, qeveria e Kosovës ka bërë një hap të prekshëm në përmbushjen e zotimeve dhe kërkon që votimi për pranimin e Kosovës në Këshillin e Europës të bëhet dhe jo të shtyhet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos