Strategjitë për dialogun Kosovë-Serbi, të përqendruar tek dinari, pa pritshmëri për ndonjë rezultat

Nga Rosalba Bejdo
15 Maj 2024, 20:20 | Politikë

Kosova dhe Serbia janë takuar muajt e fundit vetëm për çështjen e dinarit dhe në nivel të kryenegociatorëve. Ekspertët nuk presin ndonjë zhvillim të rëndësishëm në këtë proces me zgjedhjet në horizont, pavarësisht vizitës së Lajçakut në Amerikë dhe siç u tha, koordinimit të strategjive.

Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, qëndroi ditë më parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të cilin u tha se janë koordinuar strategjitë për këtë proces me ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien dhe të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Përpos bisedimeve për çështjen e dinarit, njohësit e dialogut nuk presin ndonjë zhvillim të ri të rëndësishëm në këtë proces.

“Mendoj se pas përmbylljes së proceseve zgjedhore në Evropë dhe Amerikë, emërimit dhe marrjes së përgjegjësive të reja nga ndërmjetësuesit e rinj presioni ndërkombëtar do të rifillojë dhe të do të ketë edhe një presion shumë më të madh nga ai që ishte i mëhershëm për implementimin e marrëveshjeve të dakorduara më herët”, tha politologu Fidan Uka.

Edhe pse pritet ndryshimi i emrave të emisarëve, njohësit nuk presin as ndryshime në qëndrime dhe kërkesat nga faktori ndërkombëtar e që janë në mënyrë specifike për Kosovën.

“Konturat e procesit ekzistojnë, premisat dhe shtyllat e marrëveshjes së planit franko-gjerman do të mbesin. Emisarët mund të vijnë e mund të shkojnë, por tashmë ato kontura që ka marrë formën e vet në Bruksel dhe Ohër do të vazhdojnë të jenë edhe më tej në dinamikat e dialogut Kosovë-Serbi”, u shpreh analisti Shkodran Ramadani.

Hera e fundit kur Kosova dhe Serbia kishin një takim të nivelit të lartë ishte shtatori i vitit të kaluar por pa ndonjë rezultat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos