“Nëse janë rehat, përfundoj mandatin”, Kurti i buzëqeshur flet për zgjedhje dhe sfidon opozitën

Nga Xhevahir Qardaku
15 Maj 2024, 20:12 | Politikë

Shumë i buzëqeshur dhe aspak i brengosur u shfaq teksa u pyet për fundin e mandatit të tij. Kryeministri Albin Kurti shprehu gatishmërinë e tij dhe Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhje të parakohshme parlamentare në Kosovë. Por sfidoi opozitën duke kërkuar që të tregojnë qëndrime të qarta lidhur me këtë temë.

“Opozita duhet të bëhet gati, ne jemi gjithmonë gati, përndryshe nëse ata janë rehat shkon mandati deri në fund. Për mua ka qenë e rëndësishme të diskutohet agjenda legjislative, sepse kemi shumë marrëveshje ndërkombëtare të ngujuara.”

Disa ditë më parë, kryeministri Kurti ftoi në një takim të gjithë liderët e partive opozitare në vend, siç u tha, për të diskutuar lidhur me agjendën e Kuvendit dhe aktualitetin. I vetmi që iu përgjigj pozitivisht ishte kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili pas bisedës, foli për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme vetëm nëse shpërndarja e parlamentit bëhet gjatë muajit maj.

I gatshëm që ta bëjë këtë u shpreh vetë Kurti, por theksoi se dëshiron që të arrijë një pajtim me të gjitha partitë opozitare dhe jo vetëm një apo dy forca politike. Për mundësinë e organizimit të votimit në qershor apo korrik, kreu i Vetëvendosjes takoi Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa dhe Donika Gërvallen nga iniciativa Guxo.

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka bërë të qartë qëndrimin e saj përmes një komunikate për shtyp duke prezantuar këtë formulë: fillimisht dorëheqja e kryeministrit Kurti, më pas shpërndarja e parlamentit dhe në fund caktimi i datës së zgjedhjeve të reja.

Të njëjtin qëndrim ndan edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me Ramush Haradinaj që akuzoi shefin e qeverisë se po tenton që të përdorë opozitën për të shpëtuar veten nga dështimet si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Por Vetëvendosje ka hedhur poshtë mundësinë e shkarkimit apo të dorëheqjes së qeverisë.

Për të miratuar mocionin e shpërndarjes së parlamentit nevojiten votat e 80 deputetëve, të cilat mund të bëhen me ligjvënësit e koalicionit në pushtet, PDK-së dhe minoriteteve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos