
Spanja është finalistja e parë e Botërorit 2026, pas triumfit 2-0 në përballjen e sotme ndaj Francës në gjysmëfinale.
Ndonëse “gjelat” konsideroheshin nga shumëkush si favoritë për të prerë biletën e finales, skuadra iberike e dominoi sfidën duke i bërë yjet francezë të dukeshin të vegjël në fushë.
“Furia e Kuqe” kaloi në avantazh në minutën e 22-të me Mikel Oyarzabal, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Iberikët goditën në pjesën e dytë, me Pedro Porron që vulosi fitoren në minutën e 58-të.
Me një mjeshtëri në mbrojtje ekipi i De la Fuente ngushtoi korridoret e pasimeve për kundërshtarët si dhe ngadalësoi sulmet e Francës që pati pak raste për gol.
Me këtë sukses, Spanja siguron një vend në finalen e madhe të Botërorit, ndërsa Franca largohet mes zhgënjimit, pavarësisht statusit të pretendentes për trofeun.
Finalistja e dytë do të përcaktohet në gjysmëfinalen e së mërkurës, ku Anglia do të përballet me Argjentinën. Finalja e të dielës do të jetë e dyta në histori për Spanjën, që me fitoren e sotme i dha një leksion botës. (A2 Televizion)