Zhivani: Kishte pakënaqësi gjithë javën, por Vllaznia arriti një fitore të madhe që shijoi shumë

Nga A2 CNN
10 Korrik 2026, 18:56 | Futboll

Zhivani: Kishte pakënaqësi gjithë javën, por Vllaznia arriti

Vllaznia arriti një fitore me shumë vlera në debutimin europian ndaj Malishevës, duke përmbysur rezultatin dhe duke marrë një avantazh të rëndësishëm për ndeshjen e kthimit në Kosovë. Shkodranët triumfuan 2-1 në “Loro Boriçi”, në një sfidë ku golat e Klinti Qatos dhe Emiljano Mustës sollën një sukses të rëndësishëm për skuadrën kuqeblu.

Gazetari Maringlen Zhivani, në një lidhje direkte pas përfundimit të ndeshjes me emisionin “Mega Sport” në A2CNN, e ka cilësuar këtë sukses si një fitore të madhe, duke theksuar vështirësitë që shoqëruan Vllazninë gjatë gjithë javës. Problemet me federimet dhe pamundësia për të pasur një grup të plotë i krijuan shumë vështirësi trajnerit Edi Martini në përgatitjen e formacionit, por skuadra arriti të reagojë në momentin e duhur.

“Në fakt, ishte një fitore e madhe e Vllaznisë me gjithë problemet që kishte këtë javë. Ka qenë një problematikë e madhe me federimet gjithë këtë javë në Shkodër dhe në fakt edhe trajneri Edi Martini e ka patur shumë të vështirë të ndërtojë formacionin dhe të projektojë grupin me të cilin do të luante. Një ndeshje e mirë nga ana e Vllaznisë. Një fitore me përmbysje dhe la goxha pritshmëri pozitive në Shkodër. Ka qenë një javë jo e qetë sa i takon edhe pakënaqësisë së tifozërisë, pasi u bënë disa afrime dhe në fund mos të ketë mundësi për të luajtur, është diçka për të ardhur keq. Besoj se fitorja me Malishevën iu ka shijuar tifozëve dhe i ka ngrohur edhe më shumë. Një fitore me përmbysje dhe një lojë që i la pothuajse të gjithë të kënaqur. Gjithsesi, kualifikimi është akoma i hapur dhe mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në Kosovë”, shprehet Zhivani.

Sipas tij, Vllaznia tregoi karakter në një ndeshje të vështirë, ndërsa lojtarët e rinj që morën minuta dëshmuan se mund të jenë alternativa të vlefshme për ekipin e parë. Zhivani veçoi paraqitjet e disa lojtarëve që lanë gjurmë në këtë sfidë. Ai vlerësoi mbrojtësin Pusi për ndërhyrjet vendimtare, ndërsa përmendi edhe Arën dhe Kubazin, me këtë të fundit që fitoi duelin ndaj mbrojtësit të Malishevës dhe ndikoi në daljen me karton të kuq të lojtarit kundërshtar. Një vlerësim të veçantë mori edhe Emiljano Musta, i cili vetëm pak ditë pas bashkimit me Vllazninë arriti të shënojë golin e fitores.

“Kishte shumë probleme trajneri Edi Martini me zëvendësimet, shumë djem të rinj, disa futbollistë që debutuan sot për herë të parë dhe që nuk kanë luajtur asnjë ndeshje zyrtare me ekipin e parë. Në fakt, këta futbollistë të rinj, pavarësisht mospjekurisë ndoshta në disa momente të caktuara, treguan se janë të gatshëm për Vllazninë sa herë thirren në apel. Në fakt, kam patur kontakte me trajnerin Edi Martini dhe ai ka qenë shumë në stres për ndërtimin e formacionit dhe për ndeshjen. Megjithatë, Pusi bëri një ndeshje shumë të mirë, shpëtoi një gol të sigurt, pastaj edhe Ara dhe Kubazi janë për t’u përmendur. Kubazi detyroi mbrojtësin e Malishevës të dalë me karton të kuq. Musta ka vetëm një javë që është bashkuar me Vllazninë dhe bëri një ndeshje fantastike sonte”, u shpreh Zhivani.

Në fund, gazetari shkodran beson se kjo fitore do të sjellë një mbështetje të madhe nga tifozët kuqeblu në transfertën e kthimit.

“Besoj se me fitoren ndaj Malishevës do të ketë tifozë të shumtë nga Shkodra që do të udhëtojnë drejt Prishtinës”, përfundoi Zhivani. Sfida e kthimit është programuar të luhet më 15 korrik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos